Është zhvilluar sot procesi gjyqësor për çështjen e njohur si “Sterilizimi”, ku në bankën e të akuzuarve ndodhet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ai është paraqitur në seancë i shoqëruar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, pasi më herët fitoi të drejtën për t’u gjykuar jashtë kafazit të të pandehurit.
Pas kërkesave paraprake të depozituara nga mbrojtja, tashmë i takon Prokurorisë së Posaçme të mbajë qëndrim mbi pretendimet e paraqitura.
Një nga kërkesat e mbrojtjes lidhet me pretendimin se “njoftimi i akuzës është i paqartë”. Prokurori Edvin Kondili kundërshtoi këtë qëndrim, duke argumentuar se pretendimet për pafajësi trajtohen në një fazë tjetër të procesit dhe jo gjatë shqyrtimit të kërkesave paraprake.
Mbrojtja e Beqajt ka kërkuar gjithashtu që prokuroria të paraqesë një tabelë të detajuar për çdo fakt që u atribuohet të pandehurve. Sipas SPAK, faktet dhe provat janë të ndara për secilin person nën hetim dhe kjo kërkesë nuk mbështetet në ligj.
Gjatë seancës, Ilir Beqaj deklaroi se i janë cenuar të drejtat procedurale gjatë hetimeve dhe kritikoi mënyrën e veprimit të organit të akuzës.
Ilir Beqaj:
“Faleminderit organit të akuzës për përgjigjet. Fillimisht më duhet të them se organi i akuzës pranoi që në fazën e hetimeve m’i ka cenuar hapur të drejtat e mia procedurale. Tre kërkesat e fundit i kam bërë sepse gjendem në fazën e shqyrtimit paraprak. Sot unë e kam të vështirë të bëj mbrojtjen.
Në përgjigjet e fundit, organi i akuzës vlerësoi vendimmarrjen e GJSP-së. Ajo është e paankimueshme, por për sa kohë thotë se ka vepruar drejt, do të thotë se vendimi i tyre është ndikuar.
U bënë rreth tre vjet që merrem me këtë çështje. Sot organi i akuzës tregoi se Kodi është i pavlerë. Pavarësinë e tyre e shfrytëzojnë për të shkelur të drejtat procedurale. GJKKO-ja dhe SPAK-u e hedhin poshtë ligjin e Avokaturës së Shtetit.
Për kallëzimin e Nismës Thurje, organi i akuzës e pranoi se kallëzimi ishte i formuluar me pyetje, prandaj duhet të ishte refuzuar. Organi i akuzës nuk u përgjigj pse m’i ka shkelur të drejtat. Tha se shumë veprime, vërtet, nuk janë kryer, por në seancën paraprake janë kërkuar si shtesë.
Nuk besoj se ka vjedhje para se të nënshkruhet kontrata. Unë kam bërë kërkesa, por s’kam marrë përgjigje. Organi tha se vjedhja lidhet me veprimet e mia, ndërsa dhjetëra mijëra faqe nuk kanë lidhje me akuzën. Unë s’kam pranuar asgjë. Një dokument që nuk ka nënshkrimin tim nuk mund të përdoret kundër meje.”
Seanca e radhës është caktuar më 11 shtator.
/vizionplus.tv





