Subscribe

Zv.Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari zhvilloi një inspektim në vijën bregdetare të Lezhës, duke u ndalur në plazhin e “Ranës së Hedhun”, për të parë nga afër zbatimin e masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, kryesisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qetësinë e pushuesve.

 

Lamallari, i shoqëruar nga Prefekti Gjok Jaku, Drejtori Vendor i Policisë Ferdinand Mara dhe struktura të tjera lokale, vlerësoi zbatimin e masave në këtë zonë dhe e konsideroi si një perlë të turizmit ku përfshihen plazhet e Tales, Shëngjinit e Kune-Vainit.

 

Gjatë inspektimit ai u shpreh se “padyshim që “Rana e Hedhun” është një nga atraksionet turistike shqiptare, perlë e bregdetit shqiptar, por sigurisht ajo çfarë është me rëndësi është nevoja që të përmbushen detyrimet ligjore, standardet e kërkuara për sigurinë e pushuesve.

 

 

Shumë mirë që këtu ka jo vetëm pushues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe vendet e tjera përreth, por është detyrimi i institucioneve shqiptare që të garantojnë që këta të kenë një periudhë turistike sa më të qetë, sa më të sigurt.Konstatuam gjatë këtij inspektimi në këtë zonë që janë përmbushur detyrimet lidhur me kullat e vrojtimit, me personat e certifikuar në kullat e vrojtimit. Për sa i përket edhe ndarjes në ujë, bovat qëndrojnë mbi ujë për të sinjalizuar notuesit për distancën që bëhet pastaj rrezik për jetën e tyre. Është një zonë e pastër, e qetë, edhe në aspektin e zhurmave dhe ndotjes akustike.

 

 

Në këtë inspektim u shoqëruam edhe nga inspektorët e zonës për bregdetin, por që mbulojnë dhe pjesën e higjienës, mjedisit dhe të zhurmave.

Gjatë inspektimit, Lamallari lajmëroi masa të forta ndaj subjekteve që nuk përmbushin detyrimet ligjore.

 

 

“Jam këtu i shoqëruar dhe nga Prefekti i Qarkut dhe nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për t’u siguruar që gjithçka shkon sipas pritshmërive të pushuesve dhe standardeve të kërkuara nga ligji.Strukturat përkatëse shtetërore janë në inspektim dhe në zonat e tjera bregdetare, në plazhet që unë sapo përmenda. Aty ku nuk përmbushen si duhet kriteret e nevojshme, janë marrë masa me gjoba dhe sigurisht për rastet kur nuk zbatohet ligji dhe nga inspektorët, policia do të bëjë punën e saj për të vijuar më tej me procedimet penale.Sigurisht është në interesin tonë dhe në interesin kombëtar që të ketë sa më shumë pushues në vendin tonë por edhe në këtë zonë, i cili ofron padyshim mrekullitë e natyrës, qetësinë dhe pastërtinë për çdo pushues”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *