Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Orët e paradites do të karakterizohen nga mot kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin, ndërsa pas mesditës pritet shtim gradual i vranësirave mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonat kodrinore dhe malore. Përgjatë vijës bregdetare moti do të mbetet kryesisht i kthjellët.
Nga mesdita deri në orët e pasdites parashikohen reshje lokale shiu në pjesën më të madhe të Ultësirës Perëndimore, me përjashtim të vijës bregdetare. Në zonat malore priten reshje me intensitet të ulët, ndërsa në disa zona të izoluara mund të shfaqen shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Reshjet do të ndërpriten gradualisht pas orëve të pasdites, duke i lënë vend motit kryesisht të kthjellët.
Era do të fryjë me drejtim nga veriperëndimi në verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në zonat bregdetare dhe në lugina era do të jetë herë pas here më e fortë, duke arritur shpejtësi deri në 12 m/s.
Ndërkohë, deti do të paraqitet i qetë, me valëzim në Adriatik dhe Jon të forcës 1 deri në 2 ballë.





