Kjo është shtëpia ku ka lindur Faik Bej Konica, në Konicë të Greqisë, e cila sot është tërësisht e dëmtuar, e lënë në harresë dhe gati e rrënuar.
Banesa ku lindi një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare sot është e mbuluar nga shkurret. Beqir Potka është një nga 17 filantropët shqiptarë që kontribuoi në rikthimin e eshtrave të Faik Konicës në atdhe. Ai rrëfen se të shohësh vendin ku ka lindur Faik Bej Konica në këtë gjendje të sjell trishtim.
“Për atë burrë kaq të madh që mbajti lart emrin e Shqipërisë qe kur shqiptarët vijnë në Amerikë, presin oficerin e emigracionit ti vërë vulën, ishte pikërisht fjala e këtij burri. Ishte dëshira që e bëri Shqipërine ta njihte bota. Unë bashkë me miqtë e afër do kontribojme që kjo shtëpi të kthehet në shtëpi muzeum për njeriun me te madh qe ka patur Shqipëria e njëkohësisht i kërkoj shtetit shqiptar, paratë i gjejmë siç gjetëm eshtrat e Faik Konices që i sollëm në Shqipëri, që kjo të kthehet në muzeum. Ashtu siç e kanë lënë, të braktisur e të rënë të ndërtohet që e fëmijët tanë brez pas brezi ta shohin këtë kështjellë të rilindur”, tha Beqir Potka, biznesmen.
Mes mureve të rrënuara dhe shkurreve që kanë mbuluar këtë shtëpi, historia vazhdon të flasë. Këtu hodhi hapat e parë Faik Bej Konica, një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar.
Mbetet për t’u parë nëse kjo godinë do të vazhdojë të jetë një rrënojë e harruar, apo do të kthehet në një muze që ruan dhe nderon trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare.





