Në terren për tu dhënë ndihmën e parë policëve dhe protestuesve, vullnetarja: Na janë bashkuar edhe mjek, kemi rënë pre e sulmeve

Protesta ka hyrë sot në ditën e 7-të të saj. Qytetarë, studentë dhe nxënës kanë dalë në shesh, ku nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.
Për tu ardhur në ndihmë të lënduarve gjatë përleshjes, janë ngritur disa pika që ofrojnë ndihmën e parë, për policët dhe protestuesit.
Paola Pesjaka, një 23 vjeçare nga Young Europian Ambassador është një prej vullnetareve që ndodhet në shesh.
Në një intervistë për emisionin “Takohemi n’Vizion” me Fjodora Fjorën, ajo tregon arsyet e kësaj nisme si dhe pasojat që përballen çdo ditë.
“Jam 23 vjeç. Punoj në shoqëri civile. Jam trajnuar 6 vite më parë për ndihmën e parë.
Unë jam trajnuar për ndihmën e parë që në gjimnaz. Kam patur mundësi ta ushtroj në shumë raste.
Unë kam qenë në protestë për 140 ditë. Tani ishte e nevojshme që të jepja ndihmën e parë. Ja kemi dhënë çdo personi që ka pasur nevojë, protestues edhe polic. E pamë që kishte edhe njerëz të tjerë, dhe u organizuam. Thirrjes tonë i janë përgjigjur shumë persona. Na janë përgjigjur edhe persona që nuk janë pjesë e mjekësisë por dinë të japin ndihmën e parë si mua, por edhe mjek që na bashkohen pasi mbarojnë turnin. Ne ndihmojmë këdo që ka nevojë.
Është tentuar që të goditen stacionet e ndihmës së parë por kanë qenë minimale. Mbrëmjen e djeshme, duke dhënë ndihmën e parë, ne u goditëm me ujë dhe gaz lotsjellës dhe me plumba gome. Fatmirësisht nuk pati të lënduar nga ana jonë, por njerëz të trembur”, tha vullnetarja.




