Protesta e qytetarëve kundër investimit në Zvërnec dhe kundër qeverisë ishte tema e kësaj të enjteje në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt.
I ftuar në emision, gazetari Arbër Hitaj vlerësoi pjesëmarrjen qytetare, por kritikoi përplasjet me policinë.
Sipas tij, protesta nisi për mbrojtjen e mjedisit, por më pas u shndërrua në një revoltë më të gjerë kundër keqqeverisjes dhe problemeve sociale që, sipas tij, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Pjesë nga biseda:
Hitaj: Ka qenë një protestë shumë e mirë. Përplasja me policinë nuk ishte një pamje e bukur. Ata që shkuan drejt këtij akti nuk kanë bërë mirë.
Çepani: Janë individë. Pse e ktheni protestën kështu? Këtu është një grup që s’ka organizim, s’mund ta identifikosh protestën me këta individë.
Hitaj: Të ngrihet një vend, të mbushë sheshin për një çështje, për flamingon, se në fillim për këtë u ngritëm, është diçka shumë e bukur. Pastaj kaluan te pjesa e keqqeverisjes. Unë jam dakord që ka pasur zhvillim, por s’ka aq zhvillim sa është premtuar. Në këtë vend, ai që është i pasur pasurohet më shumë dhe ai që është i varfër varfërohet më shumë. Shqipëria është një vend i pabarabartë. Ata njerëz që janë në shesh janë njerëz që s’po marrin dot të drejtat e tyre. Këto janë problemet që njerëzit i irritojnë. Arsimi, shëndetësia… Pse s’i ke zgjidhur në katër mandate? Në 13 vitet që Rama ka qeverisur, janë sa për dy presidentë amerikanë dhe të mos zgjidhen dot disa probleme? Njerëzit thonë: “Ai i forti e merr pronën, unë që e kam timen s’e marr dot.” Çiftet e reja s’po blejnë dot një apartament. I jep ti llogari votuesit, jo të sulmoi kryeministri qytetarët.
/vizionplus.tv





