SHBA u largua nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e quajtur atë një “gërmadhë të paragjykimit politik”. Vendimi u bë i ditur në një konferencë për shtyp nga sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo dhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.

 

“Trupi hipokrit dhe vetëshërbyes nuk bën gjë tjetër veçse tallet me të drejtat e njeriut. Për më tepër, përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit, është një provë e qartë se këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut. Megjithatë, tërheqja e SHBA nga Këshilli, nuk është tërheqje nga përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut”.

 

Ndërsa sekretari i shtetit, Pompeo tha se nuk kishte dyshim se këshilli dikur kishte një vizion fisnik. “Sot duhet të jemi të sinqertë. Këshilli  është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut” -shtoi ai.

 

Ambasadorja Haley, kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e këshillit.

 

Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohë të gjatë se do të largohej nga këshilli prej 47 anëtarësh me seli ne Gjenevë, nëse ai nuk riorganizohet.

 

Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh, pas largimit nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

 

Komisioeri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, i bëri thirrje Uashingtonit t’i japë fund politikës së “paskrupullt”. Ndërsa grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar administratën e presidentit Trump se nuk i ka bërë të drejtat e njeriut përparësi të politikës së jashtme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *