Duke marrë shkas nga ndalimi i protestës së zhvilluar të enjten kundër masave kufizuese, ku u proceduan penalisht 7 qytetarë, presidenti Ilir Meta theksoi se është një e drejtë themelore që duhet respektuar nga autoritetet.

 Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit theksoi se protestat  nuk duhet të ndalohen, pasi është një e drejtë që e garanton Kushtetua, por kërkon që të zhvillohen në përputhje me kushtet specifike të distancimit social.

“Lidhur me çështjen e protestave, tubimeve apo manifestimeve më duhet të theksoj se Kushtetuta e garanton në mënyrën më të qartë këtë të drejtë themelore që është fondamentale për demokracinë. Është një e drejtë që duhet respektuar nga autoritetet. Duhen marrë të gjitha masat jo që të ndalohen por që të zhvillohen në përputhje me kushtet specifike të distancimit social. Duke qenë se jemi në një situatë të veçantë duhen marrë masat jo që të ndalohen por të sigurohen kushtet specifike të ruajtjes dhe duhet të jenë paqësore”, deklaroi Presidenti.

Policia e cilësoi protestën e djeshme të organizuar në sheshin “Skënderbej” të paligjshme, pasi nuk kishin marrë leje, për më tepër që tubimet në kohë pandemie nuk lejohen. Për pasojë, Policia e Tiranës ka proceduar penalisht ambientalistin Sazan Guri dhe gjashtë persona të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *