Subscribe

Nga Blerina Cene

Nga operacioni i fundit SPAK njofton zyrtarisht se ngriu pasuritë e 7 grupeve kriminale në vlerën marramendëse, 4.5 milionë Euro.

Për 20 orë, 30 hetues të Organit të Posaçëm Hetimor, nën mbikëqyrjen e EUROPOL, u vunë në lëvizje për të vënë në pranga 50 persona, mes tyre dhe zyrtarë policorë.

Ndërsa operacioni u shtri brenda e jashtë vendit, në Itali, Gjermani e Spanjë dhe Belgjikë, SPAK mundi të arrestojë 20 persona, kurse 40 të tjerët i shpalli në kërkim.

Sipas hetuesve, ata e ushtronin aktivitetin kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.

Zyrtarisht, Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar njofton se shkriu 4 procedime penale në një të vetëm, duke nxjerrë zbuluar mënyrën si grupet kriminale bashkëpunuan për eliminuar njëri-tjetrin.

Nga operacioni u zbardh se Grupi kriminal i Ervis Martinaj, i zhdukur në gusht të dy viteve më parë, bashkëpunonte me Grupin e ish- deputetit socialist, Arben Ndoka.

Hetimi gjeti sesi u arrit të krijohej një organizatë kriminale e të dyve me Viktor Imerajn, Emiljano Shullazi, e të tjerë personazhe të botës së krimit për të vrarë Durim Bami.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë  edhe shtetasit Emiljani Shullazi dhe Astrit dhe Altin Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bami.

Nga ana tjetër, ky i fundit për tu hakmarrë, bën aleancë me vëllezërit Duka dhe Fatmir Hysenin me qëllimin e vetëm, për të ekzekutuar anëtarët e organizatës kundërshtare me në krye, bosin e bixhozit, Ervis Martinaj.

Një detaj që SPAK vë në dukje është edhe egërsia e dhunës që grupet kriminale ushtrojnë ndaj njëri – tjetrit.

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore”.

Të 50 urdhërarrestet janë vendosur për akuza të rënda si, “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë,  “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Trafikim Narkotikësh”, Pastrim Parash, të gjitha kryer në formën e posaçme të “Organizatës kriminale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *