Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë konferencës vjetore për shtyp, tha se një sulm eventual ndaj Koresë së Veriut nga SHBA-të, do të kishte pasoja katastrofale. Duke folur para 1600 gazetarëve, shefi i Kremlinit theksoi se shpreson për një bashkëpunim të mundshëm me Uashingtonin për zgjidhjen e krizës në Gadishullin Korean.

 

“Rusia nuk e pranon statusin bërthamor të Koresë së Veriut. Nuk dua të ofendoj askënd, por ne besojmë se ajo që po ndodh tani, nuk është produktive. Vendi ynë i ka paralajmëruar vazhdimisht SHBA-të për provokimet me ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut. Shpresojmë për një bashkëpunim me SHBA-të për uljen e tensioneve”.

 

Putin foli gjithashtu edhe për pretendimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Duke hedhur poshtë akuzat shefi i Kremlinit tha se janë kundërshtarët e Trump ata të cilët i kanë ngritur akuzat, me synimin për të minuar legjitimitetin e presidentit amerikan. Madje ai vlerësoi disa nga arritjet e Trump si president I SHBA-ve.

 

“Unë nuk jam ai që vlerëson punën e Presidentit amerikan. Kjo duhet të bëhet nga votuesit, populli amerikan. Por ne shohim objektivisht se ka pasur disa arritje të mëdha, edhe në kohën e shkurtër që ai ka punuar. Shikoni se si tregjet janë rritur, kjo flet për besimin e investitorëve në ekonominë amerikane”.

 

Udhëheqësi rus tha para gazetarëve se ka në plan të rikandidojë e si kandidat i pavarur, në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *