Subscribe

Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re, e cila ka si qëllim një monitorim edhe më të rrepte ndaj kreditorëve të këqij.

 

Synimi është që kur një investitor ka më shumë se një kredi, atëherë vendimi për të shpallur apo jo falimentin e tij do të bëhet në unison nga të gjitha bankat dhe jo në mënyrë individuale prej tyre.

 

“Një kredimarrës që ka ekspozim në disa banka si duhet të veprojnë bankat? Ne s’kemi një standard të operimit. Mundet që banka që ka dhënë kredi e para mund të marrë vendim që është në interes të saj, pa pyetur interesin e bankave të tjera. Ndërkohë që kredimarrës të tillë me shuma të mëdha mund të cenojnë stabilitetin, pra përbëjnë risk sistemik për sektorin. Duke qenë të tilla duhet një lloj standardi që të operohet me to në interesin e industrisë dhe jo të një banke të vetme”-shprehet Spiro Brumbulli, nga shoqata e bankave.

 

Vlerësimi i parë është mundësia e ristrukturimit të këtyre kredive, gjithmonë nëse ka hapësira të tilla.

 

“Nëqoftëse se ka mundësi kreditimi shtesë apo me rritje kapitali, bankat kontribuojnë për ta kthyer këtë kredi në të shëndetshme dhe sigurohet ripagesa e kredisë, atëherë edhe vendimi merret në mënyrë kolegjiale. Ndërsa Banka e Shqipërisë monitoron procesin. Nuk ka vendimmarrje, por është prezent në çdo procedurë apo vendim që do të marrin bankat.”

 

Sipas të dhënave janë 35 kompani që mbajnë rreth 60 % të kredive me probleme. Disa prej tyre janë në proces falimenti, ndërsa disa janë ristrukturuar. Por kjo rregullore do t’i paraprijë krijimit të kreditorëve të tjerë në të ardhmen.

 

“Projekti nuk i drejtohet vetëm kësaj kategorie, sepse mund të krijohen kreditorë të tjerë të këqij në të ardhmen që mund të kenë ekspozim në disa banka mbi shumë 100 milion lekë dhe bankat duhet të veprojnë në unison. Pra duam të rregullojmë jo vetëm një situatë të krijuar, por edhe të parandalojmë të tjera.”

 

Rregullorja pritet të miratohet në shtator nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës. Ndërkohë niveli i kredive të këqija në muajin Maj arriti në 13.31 %, më i ulëti i viteve të fundit. Shkak në këtë rënie është ristrukturimi që u është bërë disa kredive me probleme të krijuara ndër vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *