Kryeprokurori i Posaçëm, Klodian Braho, po raporton këtë të hënë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi punën e SPAK për vitin 2025, raport i cili tashmë është dorëzuar edhe në Kuvend.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale. Prej tyre, 294 janë raste të reja të regjistruara gjatë vitit, 39 janë çështje të bashkuara, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me një vit më parë, volumi i hetimeve ka shënuar rritje me 4.9%. Ndërkohë, numri i çështjeve të përfunduara mbetet i njëjtë me vitin 2024, me 216 hetime të mbyllura.
Në raport theksohet shqetësimi i SPAK për çdo nismë ligjore apo institucionale që mund të kufizojë pavarësinë dhe mjetet proceduriale të këtij institucioni.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, në vitin 2025 është vërejtur ulje e çështjeve të reja të regjistruara, nga 101 në vitin 2024 në 74 raste. Megjithatë, numri i hetimeve të përfunduara ka pësuar një rritje të lehtë, duke arritur në 60 çështje, ose rreth 3.4% më shumë se një vit më parë. Krimet në kuadër të “grupeve të strukturuara kriminale” paraqesin nivelin më të lartë të rrezikut, ndërsa më të ulëta mbeten rastet e trafikut të qenieve njerëzore, mashtrimit kompjuterik dhe terrorizmit.
Raporti evidenton gjithashtu një rritje të ndjeshme të çështjeve të referuara nga Policia e Shtetit, të cilat në vitin 2025 përbëjnë 70% të totalit, nga 30% që ishin një vit më parë.
Kujtojmë se Klodian Braho u emërua në krye të SPAK më 11 dhjetor 2025, duke pasuar në këtë detyrë Altin Dumanin.
Seanca dëgjimore do të zhvillohet më 27 prill 2026, në orën 10:00, në zbatim të detyrimit ligjor për raportimin vjetor të aktivitetit të Prokurorisë së Posaçme pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
/vizionplus.tv





