Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shfrytëzoi publikimin e raportit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë për ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, për të akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkelur ligjin amerikan, pasi ka korruptuar McGonigal-in për të luftuar opozitën. Në një konferencë me gazetarët, Berisha vuri në dukje se raporti i Inspektorit të Përgjithshëm saktëson se kryeministri Rama dhe ish-zyrtari i lartë i FBI janë takuar dy herë.
“Të korruptosh një punonjës, një zyrtar të lartë të SHBA-së, që ka për detyrë të mbrojë qytetarët amerikanë nga korrupsioni, kryen një krim të rëndë në ligjin amerikan, ligjin shqiptar dhe ligjin e çdo vendi.”
Berisha i mëshoi në mënyrë të veçantë një paragrafi në këtë raport, ku thuhet se McGonigal i dërgoi një miku të tij një mesazh, ku shkruante se “kryeministri po reformon drejtësinë në Shqipëri dhe kjo përfaqëson shumë mundësi.”
“Unë e di se ata të cilët janë marrë me vetingun do ta kenë shumë të vështirë të pranojnë ndërhyrjen e McGonigal-it, por e vërteta është se janë eksponentë të shumtë në drejtësinë shqiptare që e provojnë atë, e faktojnë atë.”
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, se po përpiqet të mos hetojë rolin e McGonigal-it në Shqipëri.
“Dosjen e McGonigal-it opozita e ka dorëzuar me kohë në Skrapin e partisë. Në pafytyrësi dhe në bashkëfajësinë e tyre, Altin Troplini e ka mbajtur atë në sirtar. Në një kohë kur mjafton të kërkosh zyrtarisht dosjen e gjykatës së SHBA-së dhe gjithçka e ke të provuar dhe faktuar mbi aktivitetin kriminal të Edi Ramës.”
Një ditë më parë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm, publikoi raportin e hetimit për ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal. Në këtë raport përmenden vizitat e McGonigal-it në Shqipëri dhe takimet me kryeministrin Edi Rama.
/vizionplus.tv





