Për shkak të reshjeve intensive që ka përfshirë Durrësin që nga ora 3 e mëngjesit të sotëm, shkollat e kanë ndërprerë mësimin në orën 8.45.
Ndërkohë që edhe universiteti “Aleksandër Moisiu” ka njoftuar studentët që sot nuk do të zhvillohet mësim dhe dita e sotme do të zëvendësohet në një datë tjetër, pasi oborri i universitetit është nën ‘pushtetin’ e ujit.
Në Durrës, në zonën rreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje. Prani uji ka në disa biznese dhe oborre banesash në zonën e ‘Ish-Kënetës’ .
Në rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin, në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që e bën të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë: Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”./vizionplus.tv





