Subscribe

Nga Enkelejda Mema

Qeveria është ende në fazën e shqyrtimit të projektit që Jared Kushner, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, kërkon të zhvillojë në ishullin e Sazanit. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se pas aplikimit të  bërë në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, propozimi do të vlerësohet nëse përputhet me interesin ekonomik të vendit duke mbajtur në vëmendje mosdëmtimin e natyrës.

“Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë, është bërë një aplikim sipas ligjeve në fuqi në agjencinë tonë të investimeve të huaja AIDA do ta shqyrtojmë  edhe nëse projekti puthet me vizionin tonë dhe me domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri të domosdoshëm mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës, duke e kthyer natyrën në aspektin kryesor të atij zhvillimi, atëherë do ecim përpara”, tha Rama.

“Affinity Partners” kompania amerikane e Jared Kushner synon të realizojë dy projekte turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec. Sipas asaj të publikuar në të përditshmen amerikane “Neë York Times”, dhëndri i ish presidentit Dondal Trump, synon ta transformojë ishullin e Sazanit, sot një zonë ushtarake dhe i vetmi park kombëtar detar, në një resort elitar të markës Aman. Ndërsa në Zvërnec ndërtimin e disa hoteleve dhe vilave me kapacitet 10 mijë shtretër.

Ky interes i Jared Kushner është parë nga qeveria si një investim strategjik ku përfitues do të jenë edhe qytetarët pasi Edi Rama premtoi shtetin shqiptar si aksioner në këtë investim.

“Kemi në tavolinë një ofertë fantastike, me një potencial të jashtëzakonshëm të cilën do ta shqyrtojmë sipas ligjit dhe kur them sipas ligjit, them dhe këtë ne do ta shqyrtojmë si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar që nuk negociojnë interesa personale, por negociojnë interesat e publikut në çdo hap. Flasim për një aplikim, të cilin ne do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim”, shtoi kryeministri.

Qasjen e qeverisë ndaj një investimi amerikan në Shqipëri në vlerën e miliona dollarëve, Edi Rama e bëri pas u takua me drejtuesit politik të qarqeve. Nga selia e Partisë Socialiste ai foli me siguri për votimin e amnistisë penale i mbetur peng për shkak të mungesës së 84 votave. Dhe duket se votimi i saj do të përbëjë edhe bashkimin e parë të votave të socialistëve me demokratët pas ujdisë  me “Rithemelimin”./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *