Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për sigurinë ushqimore në vend, duke theksuar se ka filluar procesi i konfiskimit të qumështit dhe produkteve të bulmetit që tregtohen pa faturë.
Gjatë një deklarate publike, Rama paralajmëroi se nuk do të tolerohet më asnjë produkt ushqimor i pakontrolluar në treg, duke përfshirë edhe mishin e freskët pa dokumentacion të rregullt.
“Ka filluar procesi i konfiskimit të qumështit dhe bulmetrave pa faturë. Kjo përkthehet në pasiguri ushqimore, veçanërisht në këto temperatura të larta, ku rreziku për shëndetin e konsumatorëve është i lartë. Kushdo që tregton produkte pa faturë, do ta humbasë mallin,” – deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë si fazën e parë të një kontrolli më të rreptë që do të zbatohet në të gjithë zinxhirin e tregtimit të ushqimeve në vend.
“Ky është vetëm fillimi. Do të ndërtojmë një sistem kontrolli shumë më rigoroz për sigurinë ushqimore. 83 mandatet që kemi marrë janë përgjegjësi, jo pushtet dhe kjo përgjegjësi duhet të reflektohet në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve,” shtoi ai.
/vizionplus.tv





