Policia Kufitare ka intensifikuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare për të parandaluar incidentet dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik. Gazetari Esido Barkaj raportoi në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus se masat janë shtuar nga Velipoja deri në brigjet e Jonit, me fokus të veçantë në zonat me fluksin më të lartë të turistëve.
Sipas raportimit, dhjetëra skafe dhe jet-ski janë ndëshkuar pasi kanë shkelur perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Vetëm në Durrës, përgjatë vijës bregdetare nga Qerreti deri në Rana e Hedhur, janë vendosur rreth 60 gjoba, ndërsa 10 prej tyre kanë qenë për mjete lundruese që kanë hyrë në zonat e ndaluara.
Një nga rastet më të fundit u regjistrua në Shëngjin, ku drejtuesi i një jet-ski u gjobit me 500 mijë lekë të rinj (5 milionë lekë të vjetër) dhe mjeti iu bllokua, pasi kreu manovra të rrezikshme pranë pushuesve. Gjoba të tjera janë vendosur për mungesë dokumentacioni dhe drejtim të mjeteve pa lejet përkatëse.
Rekordin e masave ndëshkuese gjatë këtij sezoni e mban Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë. Nga muaji qershor e deri më tani, në Durrës dhe Vlorë janë vendosur në total 250 gjoba, ndërsa në qarkun e Vlorës pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në vlerën maksimale prej 500 mijë lekësh të rinj, kryesisht për shkelje të perimetrit të sigurisë nga jet-skitë.
Kontrollet nuk janë përqendruar vetëm te hyrja e mjeteve lundruese në zonat e plazhit, por edhe te respektimi i kushteve të sigurisë nga operatorët turistikë. Sipas Policisë Kufitare, janë konstatuar raste të mungesës së jelekëve të shpëtimit, dokumentacionit të nevojshëm dhe kushteve teknike të mjeteve që transportojnë turistë drejt Karaburunit dhe destinacioneve të tjera.
Autoritetet kanë bërë të ditur se patrullimet dhe kontrollet do të shtohen gjatë muajit gusht, kur pritet kulmi i sezonit turistik dhe rritja e numrit të vizitorëve, përfshirë edhe ankorimin e kroçerave në portet turistike, veçanërisht në Sarandë. Ndërkohë, zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka zhvilluar një takim me prefektët e qarqeve për koordinimin e masave që lidhen me sigurinë bregdetare dhe parandalimin e zjarreve.
/vizionplus.tv





