Një kërkesë e vazhdueshme e Shoqatës së Ndërtuesve, e përsëritur për partitë politike edhe javën e shkuar që të bëhet pjesë e programeve elektorale, është shfuqizimi i 3% të sipërfaqes që duhet të dhurojnë për banesa sociale.
Por, qeveria nga ana tjetër thotë se nuk do të tërhiqet nga kjo politikë dhe bën thirrje për bashkitë të tregohen më të kujdesshme me vjeljen e kësaj takse.
“Ne jemi në radhë të parë me qytetarët, nëse kjo nevojë e një interesi shumë të lartë publik sot e kësaj dite ende nuk adresohet dot, madje edhe me kaq mundësi sa ne kemi arritur të gjenerojmë, ne nuk do të tërhiqemi nga kjo politikë. Natyrisht, ne do të respektojmë vendimin e çdo organi gjyqësor nëse ka një gjykim për ndonjë ankesë apo kërkesë në këtë drejtim, por ne inkurajojmë bashkitë dhe trupën e pushtetit vendor që të jetë gjithmonë e më e vëmendshme për planifikimin e fondeve të buxhetit të tyre, duke përfshirë edhe fondet e strehimit social. Ne e gjejmë një politikë të drejtë”, thotë ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja.
Gjatë një aktiviteti për programet e strehimit social, qeveria njoftoi se së shpejti do të ketë gati edhe një metodologji të re për caktimin e çmimeve të referencës për ndërtesat dhe për pasojë, për të rritur shumën e kredisë së butë që një familje mund të marrë.
“Përcaktimi i fashave të pagave dhe sasisë së parasë që mund ta aksesohet si kredi nga qytetarët bazohet nga transaksionet që regjistrohen në ASHK. Nga këto transaksione prodhohet edhe çmimi referencë. Qytetarët shpesh janë ankuar që çmimi referencë nuk është i njëjtë me çmimin e tregut. Një pjesë e ndryshimeve që po propozojmë është edhe një metodologji e re e përcaktimit të çmimeve referencë, që nuk do të bazohet më vetëm te transaksionet e deklaruara në Hipotekë, por edhe te një studim më i mirë i tregut përmes sondazheve, anketave, mbledhja e të dhënave. Do të kemi një metodologji të re që do të përcaktojë vlerën e banesave në treg, për rrjedhojë edhe sasinë e parave që do t’u jepet kredi qytetarëve dhe fashat e pagave që ata të kenë mundësinë dhe aftësinë paguese për ta paguar këtë kredi”, thotë Enkelejd Musabelliu, zv.ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sipas të dhënave, janë 35 mijë familje që kanë përfituar nga programet e strehimit social në 10 vitet e fundit. për të rritur numrin e përfituesve, Ministria e Ekonomisë synon që fondin për programet e strehimit social ta rrisë nga 8 mln euro në 80 mln euro në vit.





