Gazetari dhe analisti Arbër Hitaj ka komentuar në studion e Quo Vadis protestat e opozitës përballë Kryeministrisë.
Ai tha se këto protesta nuk e ndihmojnë opozitën politikisht. Sipas tij, PD sot ka rënë peng i së shkuarës dhe nuk po promovon asnjë figurë të re.
“PD ka rënë peng i vetvetes, si ajo opozita e Berishës në vitet 1997-2005. Atij i duhet bërë një analizë e humbjes së zgjedhjeve. Një kritikë që kam për opozitën është se nuk promovoi asnjë figurë të re. Në brain gain erdhën disa figura të reja, dhe disa prej tyre u hodhën ‘mish për top’ në lista të hapura. Ndërkohë, një pjesë e atyre që ishin njerëz shumë të vjetër në PD u futën në lista të sigurta, u futën në Parlament, por nuk sjellin njerëz në protesta.Për mua është e drejtë të bëhen protesta, por nuk bëhet politikë në protesta. Edhe zoti Shehaj po bën protesta për të mbrojtur SPAK-un, por nuk prodhon tezë. Ne e mbështesim SPAK-un dhe e kritikojmë për mirë, sepse ka korrupsion në pjesë të mëdha të vendit. Politikisht, ndryshimet vijnë në mënyrë tjetër. Zoti Berisha bën protesta, por në thelb nuk sjellin ndryshime”, tha Hitaj.





