Zhvillimet e fundit diplomatike, ku përfshihet votimi unanim në Kuvend për Bordin e Paqes dhe pritshmëritë për një udhëtim të Kryeministrit Edi Rama drejt Shteteve të Bashkuara, kanë qenë sot në qendër të debatit politik.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, analisti Ergys Mërtiri zbërthen prapaskenat e këtyre ngjarjeve, duke ofruar një këndvështrim kritik mbi qëndrimet e opozitës dhe pozicionin real të qeverisë shqiptare në raport me partnerët tanë strategjikë.
Ai argumenton se ftesa e Shqipërisë në “Bordin e Paqes” dhe vizita e mundshme e Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë nuk duhen parë si arritje personale të kryeministrit.
Sipas tij, këto janë marrëdhënie institucionale midis shteteve dhe jo miqësi private.
Mërtiri thekson se, pavarësisht këtyre ceremonive, situata reale e Ramës me SHBA-në mbetet e vështirë.
INTERVISTA E PLOTË:
Si ta lexojmë votën unanime të Kuvendit të Bordit të Paqes, ndërkohë që më herët ka pasur debate të forta mes shumicës dhe opozitës për këtë çështje?
Mërtiri: Është një gjë normale. Opozita nuk ka luksin dhe nuk ka sesi, dhe nuk duhet të dalë kundër një rasti të tillë, pavarësisht se ajo nuk lë rast pa u shfaqur kompleksive dhe provinciale në mënyrën se si ajo reagon ndaj ngjarjes. Fakti që kërkon që të prezantohemi atje me presidentin është politikë qesharake, të themi, sepse nuk varet nga ne këtu, po varet nga ata atje se kë ftojnë ata, jo kë duam ne të çojmë.Gjithsesi, është veprim i duhur, i arsyeshëm, logjik, që palët të bien dakord për këtë gjë.
A mund të presim tani, ose a duhet të presim tani një udhëtim të Ramës drejt Shteteve të Bashkuara? Vetë ai tha që do të shkojë, pra mund të udhëtojë drejt Shtëpisë së Bardhë për të firmosur dokumentin.
Mërtiri: Po, dhe mund të ndodhë, po edhe kjo ngrefosje e kryeministrit për faktin që do shkojë në Shtëpinë e Bardhë, më duket prapë gjithashtu provinciale dhe shumë qesharake. Rama nuk është shok i afërt me Trump, është thjesht përfaqësuesi i Shqipërisë si kryeministri i Shqipërisë dhe në këtë forum, në këtë bord, nuk është Rama, por Shqipëria. Dhe duke qenë se Rama është kryeministri i Shqipërisë, sigurisht që vetë Rama. Ka një problem të madh me ndërkombëtarët këtu, se këta arritjet e vendit i shesin si arritje personale, gjë që nuk ka të bëjë fare me politikën e jashtme dhe do të thotë që nuk sillemi me partnerët tanë si njerëz seriozë, si njerëz që kanë dinjitet, por sillen si lypsarë, të cilët gëzohen dy-lekëshit që shohin në dorën e tyre.
Opozita kishte ngritur një narrativë prej kohësh që Rama nuk i ka marrëdhëniet e mira me SHBA-në. Këto zhvillime të fundit, pra ftesa e drejtuar zotit Rama, prania e Shqipërisë në Bordin e Paqes, a është një goditje për këtë narrativë të opozitës?
Mërtiri: Sigurisht që po. Dhe kjo jo për meritë të Ramës, por për faj të mungesës së arsyes dhe banalitetit ku ka rënë opozita. Opozita nuk lë rast pa u shfrytëzuar për të bërë lidhje me ngjarjen ndërkombëtare.Arrestimi i Maduros ishte për show, ajo u përdor në mënyrë krejt banale për ta krahasuar me Ramën këtu, duke i dhënë idenë, duke e shfrytëzuar momentin për të treguar për idenë që Rama, ashtu si Maduro, do të arrestohet dhe do të shkojë edhe ai në SHBA. Kjo është thjesht banale dhe qesharake. Në fakt, unë nuk shoh që Rama ka përmirësuar ndonjë pozitë në raport me SHBA-të. Rama vazhdon t’i ketë keq punët sepse, për sa kohë SHBA-të mbështesin Prokurorinë e Posaçme, e cila po fut në burg njerëzit më të afërt të Ramës, Rama nuk ka asgjë të sigurt në raport me SHBA. SHBA sigurisht e trajtojnë Ramën si partner, sepse është Shqipëria partnere, jo Rama, por nga ana tjetër SHBA-të mbështesin një prokurori e cila po e masakron imazhin e kësaj qeverie duke arrestuar, duke çuar përballë drejtësisë, duke çuar në hetim njerëzit më të afërt, ortakët e Ramës, njerëzit më të ngushtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës. Kjo është lajmi pozitiv, serioz dhe i mirë për vendin. Gjithë gjërat e tjera janë krejtësisht normale, s’ka asgjë as për ta sulmuar Ramën, as për ta vlerësuar.
/vizionplus.tv





