Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca tha se ishin të shumtë të miturit që u shoqëruan nga policia gjatë protestave që u mbajtën për Klodian Rashën. Në një lidhje për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, me gazetarin Aleksandër Furxhi, Ballanca tha se policia nuk ka vepruar sipas rregullave.

 

“Shoqërimi i të miturve ka qenë në një numër shumë të lartë, rreth 128 të mitur të shoqëruar, midis 14-18 vjeç. Ka patur edhe të mitur nën 14 vjeç që janë shoqëruar, kjo është realisht goxha problematike. Nuk rezulton të jetë shoqëruar për veprime të dhunshme në protestë, por për pjesëmarrje në tubime të paligjshme. Nuk mund të shoqërosh të mitur nën 16 vjeç për pjesëmarrje në protestë, këto lloj dallimesh nuk janë bërë nga policia. Nuk janë mbajtur gjatë, janë tentuar që veprimet të kryhen në mënyrë të shpejtë. Procedurat e parashikuara nga Kodi i Drejtësisë për të miturit rezulton se nuk janë zbatuar.”

 

Ajo shtoi se duhet të bëhet kujdes që në diskursin publik të tregohet se në protestë ka edhe një njerëz që protestojnë paqësisht dhe jo vetëm akte dhune.

 

“Bashkë me dënimin e dhunës, duhet të garantohet edhe e drejta për tu tubuar paqësisht për persona te tjerë që nuk ushtrojnë dhunë. Kjo është një pjesë e munguar e diskursit aktual sepse flitet vetëm për protesta të dhunshme. Ndërkohë që vetëm një pjesë kanë kryer akte të dhunshme, por e rëndësishme është të garantohet për qytetarët që ka edhe qytetarë që mund të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore.”

 

E pyetur për qëndrimin e policisë gjatë protestave, Ballanca tha se në disa momente ka qenë joproporcional. Ndërsa vlerësoi sjelljen e efektivëve gjatë ditës së parë të protestës.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *