Projektligji i ri për politikat  e emigracionit në Greqi është diskutuar gjatë ditës së sotme  në parlamentin grek me grupet e interesit. Emigrantët shqiptarë përfaqësoheshin në seancë nga shoqata për emigracionin “Përkrahja”. Drafti sjell ndryshime të rëndësishme në të drejtën e emigracionit.

 

Përfaqësues të shqiptarëve u shprehën se jetojnë ne këtë vend për më shumë se 20 vjet dhe se Greqinë e kanë atdhe të dytë.

 

“Leja e re e qëndrimit që do të nxirret në bazë të dispozitave të reja, do të ketë vlefshmëri për tre vjet dhe do të kushtojë 300 euro, ndërsa e njëjta leje sot vlen për dy vjet dhe kushton po 300 euro”.

 

Një tjetër anë pozitive, është se do të zgjidhet një problem serioz për shumë  prindër qe duan te regjistrojnë fëmijët ne gjendjen civile ne Greqi

 

“Prindërit të nuk kanë asnjë dokument të qëndrimit të ligjshëm, përderisa tashmë do t’u ofrohet mundësia që të mund të regjistrojnë fëmijët e lindur në Greqi në gjendjen civile greke, gjë që deri tani nuk e bënin dot, me rezultat shumë prindër të mos mundnin të pajisnin me pasaportë dhe dokumente të tjera identiteti fëmijët e tyre”.

 

Organizata e emigrantëve “Përkrahja” propozon të bëhen ndryshime në përmbajtjen e projektligjit:

 

“Në asnjë rast të mos shfuqizohet neni i lejes për arsye të jashtëzakonshme që u jep mundësinë atyre që kishin dikur një leje qëndrimi, të pajisen sërish me leje qëndrimi. Të mos shfuqizohet neni që u ofron mundësinë atyre që erdhën në Greqi me vizë para tre vjetësh, të aplikojnë për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Në asnjë rast të mos shqyrtohen aplikimet për leje për arsye të jashtëzakonshme që ndodhen aktualisht pranë shërbimeve, me dispozitat e reja nëse këto janë më të këqija. Kjo të bëhet vetëm në rast se dispozitat janë më favorizuese. Të hiqet dëshmia e qëndrimit në Greqi me dokumente shtetërore, përderisa një emigrant i paligjshëm nuk mund të kryejë veprime me shtetin dhe le të mjaftojë vetëm qëndrimi shtatëvjeçar në Greqi, ose të pranohen edhe dokumentet private”.

 

Gjithashtu përfaqësuesit e emigrantëve shqiptarë propozojnë disa ndryshime lidhur me te drejtat e fëmijëve.

 

“T’u jepet mundësia fëmijëve të brezit të dytë që u kthyen në atdheun e tyre si të mitur dhe pa miratimin e tyre, të mundin të rikthehen në legjitimitet, pa marrë parasysh nëse kanë munguar nga Greqia. Por mjafton të kenë lindur në Greqi dhe të kenë ndjekur këtu shkollën. Gjithashtu propozojmë të shndërrohen lejet dhjetëvjeçare në leje rezidenti afatgjatë (pesëvjeçare)”.

 

Ne Greqi janë të pajisur me leje qëndrimi rreth 400 mijë  shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *