Subscribe

Kandidatja e partisë opozitare VMRO-DPMNE, Gordana Davkova, kryesoi bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e  veriut, e ndjekur nga presidenti aktual Stevo Pendarovski nga Ardhmëria Evropiane.

Davkova e cila siguroi 40.1 përqind të votave dhe Pendarovki me 19.93 përqind do të përballen me njëri-tjetrin në raundin e dytë që mbahet në 8 maj.

Në kampin shqiptar, kryesoi bindshëm kandidati i BDI Bujar Osmani me mbi 40 mijë vota më shumë se kundërshtari i tij i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari. Thënë ndryshe, në totalin e votave të shqiptarëve, ai mori më shumë se 60 për qind të votave.

Arbër Ademi, ish-deputet dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, në një lidhje të drejpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili ka folur lidhur me rezultatet e raundit të parë.

Sipas zotit Ademi, dështimi i kandidatit tjetër shqiptar, Arben Taravari, lidhet me mungesën e një oferte politike. Ai gjithashtu thotë se dështimi erdhi si pasojë e lidhjes së tyre me forcat nacionaliste maqedonase siç është VMRO-DPMNE.

-Kandidati i BDI, Bujar Osmani shënoi një fitore të thellë në raundin e parë të zgjedhjeve duke lënë pas Arben Taravarin. Kujt ia dedikoni këtë sukses dhe sa vlen ky sukses në kushtet kur të gjithë i duan shqiptarët të bashkuar, por në zgjedhje i kemi parë të përçarë.

Ademi: Dita e djeshme rezultoi me një fitore të madhe, historike të Frontit Evropian të cilin e udhëheq zoti Ali Ahmeti. Kandidati ynë Bujar Osmani ka një diferencë të madhe, me mbi 40 mijë vota. Zoti Ahmeti që nga viti 2002, pas Luftës së UÇK ka vazhduar me përpjekjet e tij për t’i unifikuar të gjithë shqiptarët. Pavarësisht përpjekjeve dhe komunikimit të vazhdueshëm me Arben Taravarin, që deri në momentin e fundit ishte në koalicion me ne, në bashkëqeverisje ishte me ne, nuk ndodhi ai bashkim. Fatkeqësisht ata vendosën që të dalin me kandidat, megjithëse ne kemi qenë të gatshëm që të dalim me një kandidat mbipartiak. Megjithatë zoti Taravari, edhe pse kishte deklaruar se nuk do të garonte, në momentet e fundit garoi. Fatkeqësisht pamundësoi për pak vota që Bujar Osmani të futej në balotazh në raundin e dytë.

-A e lidhni dështimin e Taravarit edhe me implikimet politike që pasuan mbështetjen e dhënë për të nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?

Ademi: Implikimet e kryeministrit Kurti janë pa efekt në Republikën e Maqedonisë së Veriut për arsye se nuk përkojnë me realitetin politik këtu, me specifikat që i kemi. Por opozita duke mos pasur ofertë politike, duke mos pasur identitet politik, ata dëshirojnë që të paketohen dhe të prezantohen me ambalazhin herë të Arbën Xhaferit e herë të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Megjithatë as njëra, as tjetra nuk qëndron, për arsye se Arben Taravari, derisa ishte gjallë Arbën Xhaferi ka qenë oponent i Arbën Xhaferit. Në vitin 2008 ka qenë me partinë e Bardhyl Mahmutit, ndërsa ambalazhin e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit e shfrytëzojnë për të pakënaqurit me BDI. Prandaj ajo lidhje mes Vetëvendosjes dhe opozitës shqiptare këtu nuk qëndron, por dështimin që pësuan është si rrjedhojë e mospasjes së një oferte politike, por edhe për shkak të lidhjes së tyre me forcat nacionaliste maqedonase siç është VMRO-DPMNE.

-Fitorja e kandidates opozitare po shikohet si një sinjal për triumf të VMRO edhe në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Si e lexoni këtë revansh të opozitës?

Ademi: Ne që nga dita e djeshme i kemi bërë thirrje qytetarëve të reshtohen dhe të mbështesin Frontin Evropian për arsye vetëm Fronti Evropian i udhëhequr nga Ali Ahmeti dhe liderët e partive politike që përbëjnë këtë front, mund t’i bëjnë ballë qarqeve nacionaliste të cilat kanë për qëllim izolimin e Maqedonisë dhe mosintegrimin në drejtim të familjes evropiane. Ne kemi hallin si ti t’i bëjmë ballë ndonjë lëvizje të re nacionaliste, e cila dëshiron të godasë hapur marrëveshjen paqësore të Ohrit. Po hapur e godet edhe shtyllën kurrizore të anëtarësimi tonë në Bashkimin Evropian, duke thënë se pas zgjedhjeve ata do të kërkojnë rinegocim të kornizës negociuese që Brukseli thotë se nuk mund të ndodhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *