Subscribe

Presidenti i Republikë ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Parlament ligjin, që do mundësonte importin e mbetjeve. Në argumentimin e tij, kreu i shtetit vlerëson se ky ligj bie ndesh me Konventen e Bazelit, ku nuk është vendosur ndonjë detyrim për Shtetet Palë, përfshirë Shqipërinë që të parashikojnë dispozita në drejtim të importit të mbetjeve jo të rrezikshme.

“Shqipëria ka ratifikuar me Konventën e Bazelit “Mbi kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, sipas të cilës: “Secila palë do të marrë masat e duhura: a) për të siguruar që prodhimi i mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera, brenda saj është pakësuar në minimum duke marrë parasysh aspektet sociale, teknologjike dhe ekonomike; g) për të ndaluar importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera në qoftë se ka arsye të besohet që mbetjet në fjalë nuk do të trajtohen në një mënyrë të shëndoshë nga ana mjedisore.”

Presidenti mendon se ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, ku thuhet se Shteti synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Presidenti Nishani, mendon se procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve.

“Është e drejta e publikut të përfshihet në një vendimmarrje kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e importit të mbetjeve që ndikon direkt në mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Ka rezultuar se ky ligj nuk ka qenë në programin analitik të akteve të Ministrisë së Mjedisit, por pavarësisht kësaj, me hapa të përshpejtuar, pa asnjë konsultim paraprak me publikun siç kërkon Kushtetuta dhe Konventa e Aarhus është futur në kalendar, duke e vënë publikun para faktit të kryer dhe duke i dhënë mundësinë që vetëm në dy séanca të shpreheshin në lidhje me projekt-ligjin.”

Gjithashtu, Nishani thekson se ka marrë në konsideratë iniciativën e rreth 65 mijë zgjedhësve, që cilët në Nëntorin e vitit 2011, paraqitën kërkesën për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm. Po ashtu, për t’i dhënë peshë argumentit të tij, Kreu i Shtetit thotë se ligji është miratuar me votat e vetëm 63 deputetëve të Kuvendit, gjë që vë në dyshim rregullsinë dhe kushtetutshmërinë e këtij Ligji.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *