Kryetari PD Lulzim Basha i ka premtuar biznesit të kryeqytetit një klimë më të mirë nëse fiton zgjedhjet në 25 prill. Gjatë takimeve në zonën e Qesarakës, Basha ka theksuar se programi i PD synon të ndihmojë bizneset, të cilat vuajnë pasojat e pandemisë së koronavirusit.
“25 prilli do të jetë dita kur me votën tuaj për ndryshim do të votoni për një shtet që në vend që t’ju trajtojë ju si lopë për t’u mjelë e veten e vet si pronar, do t’ju trajtojë ju si partnerë në zhvillimin e vendit. Në qoftë se ju arrini të krijoni të ardhura çfarë do të bëni? Do të hapni një furrë tjetër. Do të punësosh edhe 2,3 zonja të tjera, pra do të rrisësh punësimin, do të rrisësh mirëqenien, do të rrisësh pagat të cilat në vetvete rrisin konsumin. Ky është cikli pozitiv me të cilin ne duam dhe do ta fusim ekonominë. Ndaj për të gjithë biznesin, për të gjithë sipërmarrjen që ka 8 vjet që vuan sepse vetëm 2 apo 3 kanë bërë hajër këto vite sepse janë të lidhur me kryeministrin.”
Më pas, Basha ka zhvilluar një takim me gra në zonën e Dajtit të cilave u ka premtuar rritjen e pagave.
Basha takoi edhe gra të profesioneve të ndryshme të cilave u shpjegoi modelin që ai synon të sjellë në politikë.
“Modeli që ne duam të sjellim, modeli që unë dua të sjell, është modeli i individit të fortë. Momenti që ne sjellim individin e fortë, momenti që ne shtrijmë sinorët e shtresës së mesme, rrisim pavarësinë e mendimit, duke nisur sigurisht nga popullsia e mesme dhe e pasur urbane, profesionistët pra, tek sipërmarrësit por edhe kudo tjetër, edhe te fermeri.”
Basha ka theksuar se këto zgjedhje nuk janë për të apo për rivalin politik, por janë momenti kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre.