Subscribe

Policia Bashkiake e Tiranës i është bashkuar aksionit për mbjelljen e pemëve në kryeqytet. Ata kanë kontribuuar në 50 fidanë të rinj, në një prej zonave më të urbanizuara vitet e fundit të Tiranës, në Shkozë.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi punën e efektivëve të policisë, shpesh të pavlerësuar sa duhet tha ai, por edhe kontributin sa herë lindin nevoja të komunitetit.

 

“Kolegët e Policisë Bashkiake kanë një nga punët më të vështira në Bashkinë e Tiranës: mbajtjes e rendit, pastërtisë, të ndihmuarit çdo qytetar në rast nevoje, qoftë për problematika të komunitetit, apo për projektet dhe investimet madhore në qytet. Ata janë gjithmonë në frontin e parë, por jo gjithmonë marrin meritën dhe vlerësimet që meritojnë. Më vjen vërtet mirë, më bëhet zemra mal vërtet, kur shikoj se si janë të parët për të dhuruar gjak, janë të parët për të dhuruar lodra për fëmijët në periferi, kurse sot më vjen mirë që, në fund të vitit, prapë me të ardhurat e tyre modeste, i dhurojnë 50 pemë Tiranës në një nga zonat që po urbanizohet jashtë mase, siç është zona e Shkozës, e cila prej investimeve të Bashkisë dhe qeverisë, edhe në nivel kapilar, por edhe në akset kryesore të zgjatimit të Lanës, apo edhe me autostradën e madhe, që vjen nga Farka deri në Shkozë, i është rritur vlera në mënyrë të jashtëzakonshme,” u shpreh Veliaj.

 

Kryebashkiaku ka shprehur mirënjohjen e tij për strukturat e Policisë Bashkiake, falë të cilave tha ai, sot qyteti është më i pastër, më i rregullt dhe secili respekton hapësirat e përbashkëta publike.

 

“Sot e vlerësoj jashtë mase Policinë Bashkiake, meritoni gjithë respektin dhe mirënjohjen e qytetit tonë, për një qytet që është më i pastër, për një qytet që ka trotuare më të lira, për një qytet që shet në treg dhe shkon në shkollë, por nuk shet në shkollë dhe mëson në treg, sepse më përpara kemi pasur një qytet, ku nga dëshira për të lejuar të gjithë të merren me gjithçka, kemi shkelur liritë e njëri-tjetrit. Sot, edhe prej infrastrukturës, por edhe prej rendit dhe rregullit që është vendosur nga Policia Bashkiake, ka një vend për të shitur, një vend për të ecur, një vend për të luajtur, për të vrapuar, një hapësirë të gjelbër dhe ambientet për një shkollë. Për sa kohë që respektojmë hapësirat e njëri-tjetrit, unë besoj se do jemi vërtet një qytet në harmoni”, theksoi Veliaj.

 

Ai ftoi qytetarët që të ndjekin shembullin e këtyre efektivëve vitin e ardhshëm.

 

“Do ishte mirë që nga 2023 të merremi me të anasjellën, më shumë kohë me punë, më pak me diskutime e debate shterpë, dhe besoj që kush ka një vërejtje duhet të japë shembullin e tij. Nuk po bëjmë mjaftueshëm? Atëherë të bëjë atë që po bën Policia Bashkiake. Të dhurojë gjak! Nuk po bëjmë mjaftueshëm? Të bëjë atë që bën Policia Bashkiake! Të dhurojë lodra, apo një vakt tek ata që kanë nevojë! Nuk po bëjmë mjaftueshëm? Të japin kontributin e tyre edhe ata, të mbjellin një pemë,” ishte apeli i tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *