Diplomati i karrierës, Gazmend Turdiu ishte i ftuari i mbrëmjes në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
Ai rrëfeu për mësimet dhe këshillat e hershme që ka marrë nga babai i tij, në një periudhë të vështirë, siç ishte diktatura komuniste në Shqipërinë e atyre viteve.
“Kur isha në klasën e dytë fillore, im atë më dërgon në një kurs italishte. Babai dhe nëna kërkonin që të mësoja sa më shumë, të bëhesha sa më i aftë për të mundur të kapërceja ato mangësi që ne i kishim në familjen tonë për shkak të biografisë. Dhe një gjuhë e huaj është një “armë” në jetë. Ishte një mësuese e mrekullueshme. Ajo punonte si arsimtare në shkollën “Kosova”, por bënte kurse private italishte dhe nga profesioni i mësueses, studiuar në Itali dhe metodiste e mrekullueshme. Unë kisha fatin të isha nxënës në ato kurset që organizonte të dielave. E fillova në klasën e dytë. Kur isha diku në klasën e katër besoj, si çdo djalë që ndjek babain, dëgjonim radion italisht dhe një ditë unë e kam pyetur duke i thënë: Babi këto që dëgjoj këtu nuk janë në linjë me ato që dëgjoj në shkollë. Ai pati kurajo në atë kohë, shumë kurajo se mos unë ja nxirrja fjalën jashtë. Dhe më tha bir e vërteta është afër kësaj, por ti nuk duhet ta thuash. Ka qenë një mësim që unë nuk e kam harruar, megjithëse isha shumë i vogël. Prindërit më kanë edukuar me dëshirën për informacion”, tha Turdiu në Quo Vadis.
/vizionplus.tv





