Shkon në 6 numri i rasteve pozitve në Korçë. Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se një ditë më parë janë dërguar nga qyteti juglindor 6 tampona si kontakte të afërta të rastit të parë pozitiv.
Pas kontrollit në Institutin e Shëndetit Publik në kryeqytet, 5 raste kanë rezultuar pozitive.
Dy raste janë në Maliq dhe një tjetër në fshatin Vloçisht të kësaj bashkie. 5 rastet pozitive janë izoluar menjëherë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit ndërsa nuk dihet nëse janë kontakte të rastit të një dite më parë apo jo.
Në kushte të tilla mësohet se njësitë vendore të kujdesit shëndetesor do të ngrejnë edhe një herë task forcat për të monitoruar edhe një herë masat anti-covid që meren në lokale dhe institucione e deri në rrugë me kontrollin e mjeteve të shërbimit taksi e jo vetëm.
Rikthimi i rasteve ka shtuar panikun edhe për faktin se deri tani në Korçë janë regjistruar në total 25 raste që prej fillimit të pandemisë, 19 prej të cilave janë të shëruar.





