Subscribe

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se fshihet pas grabitjeve të pronave në zonën bregdetare të jugut. Enkeljd Alibeaj, tha se përmes deputetit socialist Alket Hyseni, kreu i qeverisë ka firmosur nisjen e ndërtimit të një resorti turistik në tokën prej 11 mijë metrash katrorë, të një familjeje, ndërkohë që kishte një vendim në vitin 2015, nga Gjykata e Vlorës që nuk lejonte kryerjen e asnjë transaksioni.

 

 “Partia Demokratike ka dy dokumente që provojnë se Edi Rama është pjesë e skemës mafioze për grabitjen e pronave dhe shpjegojnë përse kryeministri ka heshtur deri tani për deputetin e vet Alket Hyseni. Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur dy herë rresht që, në tokat në bregdet të familjes Bua, në Dhërmi, të ndërtohet resort turistik, duke mos marrë parasysh vendimin e Gjykatës për pezullimin e çdo veprimi me pronën. Dokumenti i parë tregon se Edi Rama, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit, ka firmosur lejen për zhvillimin e kompleksit turistik dhe një vit më pas ka firmosur sërish, për dhënien e lejes së ndërtimit në këtë kompleks.”

 

Në këto kushte, opozita tregon se këta janë peshqit e mëdhenj që duhet të shkojnë përpara drejtësisë.

 

 “Peshk më të madh se kaq drejtësia nuk ka ku të gjejë dhe është rasti ideal për t’u dhënë shqiptarëve shpresën reale për një drejtësi jopolitike, që punon për qytetarët dhe jo për pushtetarët.”

 

Pak ditë më parë, deputeti socialist Alket Hyseni ka hedhur poshtë akuzat për grabitjen apo tjetërsimin e pronave në Dhërmi. Ai ka theksuar se çdo pasuri e ka vendosur në respekt të plotë të ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *