Me përplasje e tensione është shoqëruar gjyqi i Gërdecit mes familjarëve të viktimave dhe të pandehurit, Fatmir Mediu.
Zamira e Feruzan Durda, që humbën djalin 7- vjeçar në tragjedi kërkojnë që ndaj ish- Ministrit të Mbrojtjes të ngrihet akuza e vrasjes, pasi akuza e shpërdorimit të dyfishtë të detyrës sipas Kodit Penal e atij Ushtarak, është e pamjaftueshme.
“Fajin e kanë prokurorët që nuk ngrenë akuzë për vrasje, është absurde, je kriminel, turp të të vijë,”- ishin fjalët e tyre.
Menjëherë pas seancës së sotme gjyqësore, ish- ministri Mediu iu përgjigj familjarëve të viktimave:
“E kuptoj dhimbjen deri në një lloj pike, kam ardhur në proces gjyqësor. Nuk mund të pranoj fyerje. Mendoj se gjyqi politik e ka bërë politika”, tha Mediu.
Sipas ish- ministrit, procesi ndaj tij është rihapur për ta dënuar atë pa asnjë provë .
“Nëse SPAK dhe Gjykata ka ardhur te ideja e bilanceve e dënimeve politike, nuk është drejtësi më. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake. Shefi i shtabit të përgjithshëm është shef dhe i kryeministrit dhe presidentit. Unë kam firmosur procesin e demontimin ka qenë kërkesë e NATO. Nuk e kam ditur ku ka qenë Gërdeci e kam marrë vesh kur ndodhi”, u shpreh ai.
Fatmir Mediu thotë se akti i dorëheqjes së tij nga posti i Ministrit në 2008 ka qenë vetëm moral, ndërsa sot 16 vjet pas, qëllimi i tij po keqpërdorët. Ndërkaq, avokatët e tij iu drejtuan Gjykatës së Posaçme me kërkesën për një akt të ri ekspertimi financiar, por gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka e rrëzoi duke vendosur që të merret parasysh ai i vitit 2009.
Seanca e radhës u caktua në datën 29 maj, ku pritet të merren në pyetje nga pala mbrojtëse, ekspertët kontabël që kanë kryer akt- ekspertimin e 15 viteve më parë. /vizionplus.tv





