Pas javësh emocionesh, sfidash të forta, aleancash, përplasjesh dhe historish që kanë mbajtur të mbërthyer publikun shqiptar, Ferma VIP 3 mbërrin sonte në kulmin e saj.
Në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus do të transmetohet finalja e madhe e spektaklit më të ndjekur të momentit, nën drejtimin e Arbana Osmanit dhe prodhimin e Vita Production.
Pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot surpriza, pesë emra kanë mbetur në garë për çmimin e madh. Poetja Mimoza Ahmeti, balerini Ilir Shaqiri, këngëtarja Soni Malaj, DJ Bujaka dhe aktori Vis Pupa janë finalistët që sonte do të përballen me verdiktin përfundimtar të publikut.
Secili prej tyre ka shkruar histori brenda fermës. Mimoza Ahmeti, me karakterin e saj të veçantë dhe debatet që kanë dominuar sezonin. Ilir Shaqiri, një nga lojtarët më strategjikë dhe më të komentuar. Soni Malaj, që arriti të fitojë zemrat e publikut me qetësinë dhe forcën e saj. DJ Bujaka, surpriza i këtij sezoni që siguroi mbështetje masive nga publiku. Dhe Vis Pupa, i cili me humorin, energjinë dhe shpirtin garues arriti të sigurojë një vend mes më të mirëve.
Mbrëmja e sotme pritet të jetë një spektakël i jashtëzakonshëm, i mbushur me emocione, surpriza, rikthime të ish-fermerëve, momente të paharrueshme dhe një bilanc të plotë të një sezoni që ka thyer rekorde diskutimesh dhe shikueshmërie.
Të gjithë ish-konkurrentët do të rikthehen për të përjetuar së bashku natën më të rëndësishme të këtij edicioni, ndërsa publiku do të vendosë se kush meriton të ngrejë trofeun e Ferma VIP 3.
Për të mos harruar rolin deciziv që do të luajë publiku në fatin e 5 finalistëve në rrugën drejt fitores. Deri atëherë, emocionet mbeten të hapura dhe gara vazhdon.
/vizionplus.tv





