Kandidatët republikanë presidencialë shkëmbyen sulme në debatin e tyre të parë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, teksa tentuan ta zinin pozitën si kandidati kryesor pas atij që që mungonte, Donald Trumpit. Ish-presidenti i SHBA-së e përqeshi debatin në një intervistë të regjistruar paraprakisht, por të publikuar në të njëjtën mbrëmje me debatin, më 23 gusht.

 

Debati i vrullshëm dy-orësh ofroi një pamje në sfidat me të cilat përballen kandidatët në përpjekjen për ta larguar Trump nga pozicioni i tij si kandidati favorit për ta fituar kandidaturën për president të vendit nga Partia Republikane.

 

Pasi që ish-presidenti vendosi të mos marrë pjesë në këtë debat, rivalët e tij e sulmuan njëri-tjetrin në përpjekje për t’u shfaqur si alternativa më e besueshme, pesë muaj para garës së parë për ta fituar kandidaturën nga Partia Republikane dhe më shumë se 14 muaj para zgjedhjeve.

 

Ndërsa guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka qëndruar vazhdimisht në vendin e dytë, megjithëse shumë pas Trumpit, në sondazhe, në qendër të shumë prej debateve më dramatike në debatin e transmetuar nga Fox News ishte sipërmarrësi 38-vjeçar, Vivek Ramaswamy.

 

Ramaswamy, një përkrahës i Trumpit, i cili po rritet në sondazhet kombëtare, u përball me shumë kritika nga rivalët e tij më me përvojë, të cilët dukej se e shihnin atë më shumë si kërcënim sesa DeSantisin.

 

“Ne nuk kemi nevojë të sjellim një fillestar”, tha ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, ndërsa ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, e akuzoi Ramaswamyn se tingëllonte “si ChatGPT”, duke iu referuar programit të inteligjencës artificiale.

 

Ramaswamy u përgjigj duke e theksuar statusin e tij si një i huaj, duke i quajtur të gjithë të tjerët në skenë “të blerë dhe paguar” dhe duke e akuzuar DeSantisin si një “super kukull e [Komiteteteve të Veprimit Politik] PAC”. Komitetet PAC zakonisht mbledhin shuma të pakufizuara parash nga korporatat dhe individët.

 

Ai gjithashtu mbajti pozicionin më të tërhequr për luftën Ukrainë-Rusi, duke argumentuar se ajo nuk ishte një prioritet për SHBA-në dhe duke thënë se do t’i jepte fund ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kjo deklaratë ngjalli një kritikë të ashpër nga Nikki Haley, një ish-ambasadore në Kombet e Bashkuara.

 

Debati ishte parë si një moment potencialisht i rëndësishëm për DeSantis, fushata e të cilit është dëmtuar nga trazirat brenda stafit, mes një rënieje të ngadaltë por të qëndrueshme të tij në sondazhe.

 

Trump, i cili mbetet favoriti për votuesit republikanë, pavarësisht nga katër paditë penale të ngritura ndaj tij, zgjodhi ta anashkalojë ngjarjen, duke e favorizuar një intervistë me komentatorin konservator Tucker Carlson që filloi transmetimin në internet disa minuta para fillimit të debatit. Intervista pati rreth 74 milionë shikime në platformën X, të njohur më parë si Twitter, gjatë 46 minutave të saj.

 

Trump nuk pranoi t’u përgjigjej drejtpërdrejt pyetjeve provokuese të parashtruara nga Carlson, të tilla si nëse një luftë civile po vinte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend të kësaj, ai iu përmbajt temave të zakonshme: pretendimeve të rreme se ai fitoi zgjedhjet e 2020-ës, premtimit për t’i forcuar kontrollet e imigracionit dhe fyeu presidentin aktual Joe Biden dhe disa prej rivalëve të tij republikanë.

 

“A të ulem atje për një orë, apo dy orë – çfarëdo që do të jetë – dhe të ngacmohem nga njerëz që as nuk duhet të kandidojnë për president dhe në një rrjet që nuk është veçanërisht miqësor me mua?”, e pyeti ai Carlsonin.

 

Debati u zhvillua një ditë para se Trump të planifikonte të dorëzohej në Atlanta për t’u përballur me akuzat që ai tentoi ta zmbrapste humbjen e tij në zgjedhje në atë shtet.

 

Gjashtë nga tetë debatuesit ngritën duart të mërkurën kur u pyetën nëse do ta mbështesnin Trump si kandidat edhe nëse ai do të ishte dënuar për një krim. Ata ishin guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum, DeSantis, Haley, Pence, Ramaswamy dhe senatori amerikan Tim Scott.

 

Christie, i cili dukej se filloi ta ngrinte dorën përpara se ta tundte gishtin, dhe ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, thanë se nuk do ta mbështesnin Trumpin. Të dy kanë qenë kritikë të zëshëm të përpjekjeve të Trumpit për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

 

“Pavarësisht nëse besoni apo jo se akuzat penale janë të drejta apo të gabuara, sjellja e tillë nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha Christie.

 

Kjo çoi në një përplasje të ashpër mes Christie, kritikes më të madhe të Trumpit në mesin e kandidatëve republikanë, dhe Ramaswamy, mbrojtësit më të zjarrtë të Trumpit.

 

“Pretendimi dhe ankesa juaj se Donald Trump është i motivuar nga hakmarrja do të ishin shumë më të besueshme nëse e gjithë fushata juaj nuk do të bazohej në hakmarrje dhe ankesë ndaj një njeriu”, tha Ramaswamy, duke e shtyrë Christie t’i përgjigjur me “Ti më bën mua të qesh”.

 

Sondazhet tregojnë se shumica e republikanëve, 77 për qind, i shohin akuzat penale kundër Trumpit si të motivuara politikisht, duke e bërë këtë një temë të ndërlikuar për rivalët e tij.

 

Në sondazhin më të fundit të Reuters/Ipsos të publikuar këtë muaj, Trump kishte 47 për qind të votave të republikanëve në nivel kombëtar, me DeSantis duke rënë në 13 për qind, apo gjashtë për qind më pak sesa që kishte në korrik./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *