KOMENT NGA ERVIN SINA

Një turp që bën pis historinë e lavdishme e që me siguri do jetë njollë edhe për atë që vjen në të ardhmen.Kështu mund të konsiderohet poshtërimi I Barcelonës në sfiden cerekfinale kundër Bayern të Mynihut, ku shifrat shënuan rezultatin 8 me 2.

Ndodh rrallë, tmerrësisht rrallë që në ndeshje të këtij niveli, të cilat me të drejt konsiderohen edhe finale të parakohshme të hasësh rezultate të tilla, të denja për diferenca të frikshme mes profesionistësh dhe amatorësh. Në fakt diferencat reale nuk janë këto që treguan 90 minutat e “da Luz”.

Kjo është mëse e sigurte…po aq sa është e sigurtë se katalanasit nuk ishin kurrë një skuadër në fushën e lojës.

Një ekip i përçare ( nëse e meriton të quhet ekip për këtë 90 minutësh), pa nerv, pa gjak, pa dëshirë për të luajtur, që bëri pis për fat të keq edhe një yll si Leo Messi, i shuar në mbrëmjen e zymtë të Lisbonës, përballë një Bayerni të pamëshirshëm, tipik ekip gjerman që të fundos edhe më shumë kur je duke u mbytur.

 Cerekfinalja e shumëprittur, emocionet e së cilës u përcollën në Tring, ishte e denjë për nivele të tillë vetëm në 20 minutat e para. Ky fraksion I ndeshjes prodhoi një ndeshje tërësisht të hapur me sulme në të dyja krahët.

Gjermanet kaluan shpejt në avantazh me anë të Myler ndërsa Barcelona 3 minuta me vonë iu fal një autogoli të Alabës për të baraspeshuar shifrat. Shtylla e Lengle, rastet e Messit dhe Suarez dhanë përshtypjen e një Barcelone të vendosur për ti ndryshuar pamjen sezonit të vetë të dobët në La liga, por në fakt ky perceptim qe thjesht një iluzion, aq optik madje saqë do të kthehej në një realitet të tmerrshëm. Freskia e Bajernit, shoqëruar me një presing të lartë asifiksues dhe gabimet trashanike të katalanasve në mbrojtje “vranë” ndeshjen pasi skuadra e Hansi Flik shënoi 3 herë në më pak se 10 minuta me anë të Perisic, Gnabry dhe sërish Myler. Reagimi i skuadrës blaugrana ishte inekzistent, i denjë jo për një skuadër të kalibrit europian për të cilën harxhohen cdo vit qindra milionë euro.

Praktikisht asnjë rast i krijuar deri në fund të pjesës së parë.

 Në të dytën një veprim individual spektakolar i Suarez i çoi shifrat në 2 me  4 dhe dha përshtypjen se ishte një shkëndije për të rindezur sfidën, por në fakt shërbeu vetëm për të rindezur dëshirën e gjermaneve për ta shtypur me këmbë kundërshtarin, për ta turpëruar si kurrë më parë.

Levandovski, Kimich dhe dy golat e Kutinjos i dhanë lavdinë e merituar bavarezeve ndërsa Barcelonës tashmë i duhet një revolucion si autokritike për këtë disfatë. Ndryshime të detyruara, që mund të jenë kusht për të mbajtur fort një xhevahir si Leo Messi kontrata e të cilit përfundon në 2021.

Katalanasit për më tepër duhet të zënë mend edhe për figurën e trajnerit të ri ,  rreth të cilit duhet të nisë ringritja. Tekniket e viteve te fundit kanë qënë pak ose aspak të denjë për synimet e klubit, jo vetëm për staturën e tyre por edhe për lidhjen me klubin me fanelën. Nuk është rastësi fakti që nga 2005 deri në 2015 të gjitha sukseset e jashtëzakonshme u udhëhoqën nga emra të njohur të historisë së Barcës si Rajkard, Guardiola dhe Luis Enrique. Në 5 vitet e fundit blaugranat kanë eksperimentuar me trajnerin dhe kanë koleksionuar vetëm dështime në Europë. Jo më kot, të gjithë tashmë duan Xavi-n në krye të stolit. Sigurisht si një garanci e shpresë për të mos përjetuar më drama të tilla sportive.

Kishte që nga 1946, plot 74 vjet që katalanasit nuk pësonin 8 gola.

Fiksojeni 8 me 2, sepse kushedi se kur do të kemi rastin ti rishohim këto shifra në të tilla nivele…

Shënim/ Autori është gazetar dhe komentator në Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *