Subscribe

Këto ditë monedha europiane po pëson një zhvlerësim kundrejt lekut, duke bërë që një euro të këmbehet nën 120 lekë.

 

Ky është niveli më i ulët historik i euros në tregun vendas.

 

Agjentët e tregut valutorë thonë se këto kohë kërkesa për euro mbetët në nivele të ulëta. Por cilat janë arsyet e nënçmimit të saj? Për ekspertin Arjan Kadareja, leku së fundmi është bërë një monedhë më e favorshme në raport me euron.

 

“Lëvizja e fundit e bankës bëri që norma interesit të ketë diferencë në raport me euron. Euro është në nivelin zero dhe leku 1 %. Kjo bën që agjentët kanë më leverdi të mbajnë kursimet në lekë.”- tha Kadareja.

 

Një faktor i dytë është nisja e sezonit turistik, i cili shoqërohet gradualisht me nënçmim të euros.

 

“Nëse pritshmëritë janë pozitive për një sezon më të mire se ai i vitit të kaluar kjo jep një efekt gradual të forcimit të lekut.”– shtoi ai.

 

Por një tjetër faktor që është ai rritjes së çmimeve, çka ka frenuar konsumin duke shtyrë shpenzimet jo të domosdoshme në një fazë të dytë.

 

“Një faktor i tretë është rritja e çmimeve, sidomos të karburantit, pra po shpenzohet me shumë karburant dhe produktet bazike dhe mbeten me pak para për produkte të tjera. Kjo sjell një zbehje të konsumit dhe ulje të mundshme për importet dhe jep efekt dobësues të euros. Me pak euro del jashtë në formë importesh për konsum.”– vijoi Kadareja.

Tendenca është që leku të vijojë të fitojë terren në raport me euron në vijim një trend që njihet në sezonin veror. Nga ana tjetër, paniku i konsumatorëve për të krijuar rezerva ushqimore në fillim të vitit nga kriza e çmimeve, ka bërë që blerjet të jenë më të frenuara së fundmi.

 

Një lek i fortë jep më shumë efekte në zbutjen e presioni të inflacionit që vjen nga importi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *