Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ishte pjesë e Konferencës së Energjisë të organizuar në Athinë nga Financial Times dhe Kathimerini, me pjesëmarrjen e ministrave të Energjisë nga vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Një hapësirë diskutimi dedikuar sfidave dhe zhvillimit të sektorit.
Në një prononcim për mediat, Ministri Karakaçi sqaroi se prezantoi në këtë takim arritjet dhe hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në sektorin energjetik, sa i takon rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe atyre transmetuese, por edhe zhvillimet që lidhen me diversifikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“U ndala për një temë të rëndësishme përsa i përket partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me dy marrëveshjet e nënshkruara para dy javësh, që transformojnë Vlorën në një qendër gravitacionale për të gjithë rajonin përsa i përket transmetimit me gazin natyror. Duke qenë se Shqipëria prodhon 100% të energjisë nga burimet e rinovueshme, ka aftësinë të përthithë edhe kapacitete nga gazi natyror pa cenuar asnjë nga targetet e Bashkimit Evropian dhe pa cenuar asnjë target tonin të energjisë së rinovueshme”, njoftoi Karakaçi.
Shqipëria prodhon 100% të energjisë nga burime të rinovueshme, ndërsa tashmë mbi 10% e prodhimit vjen nga energjia fotovoltaike. Ministri Karakaçi tha se kjo arritje është rezultat i politikave të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e ankandeve fotovoltaike dhe nxitjen e investimeve private në këtë sektor.
Në kuadër të konferencës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi edhe një takim me homologun grek, ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit energjetik mes dy vendeve dhe projektin për një linjë të dytë interkoneksioni Shqipëri–Greqi.
“Ftova ministrin grek që të vazhdojë bashkëpunimi përsa i përket dy bursave të energjisë elektrike, ndërmjet bursës shqiptare të energjisë dhe bursës greke të energjisë, që gjatë gjithë këtyre viteve kanë patur një bashkëpunim shumë të mirë përsa i përket operimit të tyre. Këtë e dëshmon edhe fakti që bursa shqiptare e energjisë ka marrë një zhvillim shumë të madh, ku volumet janë shtuar në vitet e fundit, dhe pikërisht ka qenë një nga elementët kryesorë bashkëpunimi edhe me palën greke për t’i dhënë siguri në operim, por edhe në efiçencën e plotë të transaksioneve”, tha Karakaçi.





