Ceremonia e ndarjes së çmimeve Golden Globes u mbajt në Beverly Hills, duke shënuar zyrtarisht hapjen e sezonit të çmimeve në industrinë e filmit dhe televizionit.
Mbrëmja mblodhi emrat më të njohur të kinemasë botërore dhe u karakterizua nga emocione, surpriza dhe mesazhe sociale. Filmi “One Battle After Another” i Leonardo DiCaprio-s rezultoi fituesi më i madh i mbrëmjes, duke rrëmbyer disa nga çmimet kryesore, përfshirë atë për filmin më të mirë në kategorinë komedi/muzikal, si edhe çmime për regjinë dhe skenarin.
Ndërkohë, “Hamnet” u shpall filmi më i mirë dramatik.
Në kategoritë e aktrimit, Timothée Chalamet u vlerësua me Golden Globe për aktorin më të mirë në komedi/muzikal, ndërsa Jessie Buckley fitoi çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor dramatik.
Çmime të rëndësishme u ndanë gjithashtu për aktorët në role dytësore, ndërsa edhe televizioni pati momentet e tij kulmore. Seriali “The Pitt” u shpall drama më e mirë televizive, ndërsa “The Studio” fitoi çmimin për serialin më të mirë komedi.
Në kategorinë e serialeve të limituara, “Adolescence” dominoi mbrëmjen me disa çmime për interpretim dhe produksion.
Një risi e këtij viti ishte ndarja e çmimit për podcastin më të mirë, duke reflektuar zgjerimin e Golden Globes drejt formateve të reja mediatike.
Ceremonia u shoqërua edhe me vëmendje të madhe ndaj tapetit të kuq, ku yjet e Hollywood-it parakaluan me veshje elegante, si dhe me fjalime që prekën tema të ndryshme sociale dhe kulturore.
/vizionplus.tv





