Një nga gjashtë episodet korruptive që e kanë çuar pas hekurave ish-presidentin e vendit, Ilir Meta, nuk qëndron. Kjo u bë e ditur nga mbrojtësi i tij ligjor, Kujtim Cakrani i cili sqaroi edhe për cilin prej momenteve në dosje, bëhet fjalë.
“U mbars mali, polli një mi. Sot prokurori ka kërkuar që akuza sa i përket lobimit në SHBA nuk qëndron më. Prokurori e pranoi se lobimi ka rënë si vepër penale, pasi nga emailet që kanë ardhur nga Departamenti i Drejtësisë apo FARA vërtetohet që zoti Meta nuk ka kryer pagesën 100 mijë euro, siç është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro që është paguar dhe më pas është ndërprerë. Ky është një lajm shumë i mirë, këtë lajm e ka sjellë prokurori sot”, tha avokati.
Përmes burimesh, Vizion Plus mëson se në fakt kjo nuk nënkupton rrëzimin e akuzës së korrupsionit, por vetëm të episodit të mësipërm. Nëse Ilir Meta do të vendosë në dispozicion të Gjykatës së Posaçme një garanci pasurore në mënyrë që të lërë qelinë e paraburgimit ku ndodhet prej 21 tetorit, avokati përgjigjet: Nuk i vendosim dot garanci pasurore, se Meta nuk ka pasuri. Pasuritë në planetin tokë janë zero. Të marrin Musk të çojnë në hënë që të gjejnë pasuritë e Metës. Nëse do ia jap unë pasurinë, do ia lë pronat e mia gjykatës që ta lirojnë Metën. Por, mos kërkoni ju me pyetjet tuaja që të luhet garanci, Meta s’ka pasuri. Ju doni patjetër të thoni që Meta ka pasuri.
Këtë të premte Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkoi që masa e arrestit në burg, të hiqet. Mirëpo, seanca dështoi pasi avokati i tij kërkoi të njihet me aktet që SPAK depozitoi në Gjykatën e Posaçme. Ky vendim do të jepet në 26 qershor./vizionplus.tv




