Forcat amerikane kanë kryer një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iran gjatë orëve të fundit, duke goditur disa zona strategjike në jug të vendit. Lajmi u konfirmua nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila njoftoi se operacioni është përmbyllur me sukses.
Sipas CENTCOM, sulmet u zhvilluan në qytetet Bushehr, Chabahar, Jask, Konarak, Abu Musa dhe Bandar Abbas, me qëllim kufizimin e aftësisë së Iranit për të ndërmarrë sulme ndaj anijeve tregtare në rajon.
Forcat amerikane përdorën municione me precizion të lartë për të goditur sistemet bregdetare të mbrojtjes, bazat raketore, objektet e dronëve dhe kapacitetet detare të Iranit. Sipas autoriteteve amerikane, mbi 50 mijë ushtarë amerikanë mbeten të dislokuar në Lindjen e Mesme dhe janë në gatishmëri të plotë.
Ndërkohë, guvernatori i provincës Bushehr konfirmoi se dy lokacione në këtë provincë u goditën nga tre sulme ajrore gjatë natës. Sipas tij, deri më tani nuk raportohen viktima apo të plagosur.
US forces carried out a wave of strikes on coastal Iranian targets over a period of five hours last night -CENTCOM
Newly released strike footage: pic.twitter.com/o3LDKt6QPA
— OSINTtechnical (@Osinttechnical) July 14, 2026
Në një zhvillim tjetër, një cisternë nafte raportoi se u godit nga një raketë rreth 13 milje detare në juglindje të Limës, në Oman. Agjencia Britanike e Operacioneve Tregtare Detare (UKMTO) bëri të ditur se incidenti është nën hetim dhe u bëri thirrje anijeve në zonë të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Gjithashtu, CENTCOM publikoi pamje që tregojnë përdorimin për herë të parë të dronëve detarë kamikazë gjatë operacioneve ushtarake. Sipas ushtrisë amerikane, tre mjete detare pa pilot të tipit Corsair goditën portin e bazës detare në Bandar Abbas, duke shënuar përdorimin e parë operacional të kësaj teknologjie nga SHBA.
Autoritetet amerikane vlerësojnë se sulmet e fundit kanë dobësuar ndjeshëm aftësinë e Iranit për të kryer sulme ndaj anijeve tregtare që lundrojnë në rajon.
/vizionplus.tv




