Aksident zinxhir në autostradën në Zvicër, disa të plagosur

Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti zinxhir ku u përfshinë katër automjete, në autostradën A12, pranë Matranit, në kantonin e Freiburgut të Zvicrës.
Drejtuesi i automjetit që dyshohet se shkaktoi përplasjen është larguar pa pritur policinë, ndërsa identiteti i tij ende nuk dihet.
Ngjarja ndodhi të hënën, rreth orës 16:30, në segmentin e autostradës mes Matranit dhe daljes Fribourg-Sud, në drejtim të Bernës. Sipas policisë kantonale, një automjet u fut në autostradë përmes korsisë së emergjencës, duke shkaktuar një zinxhir përplasjesh mes katër veturave, raporton Blick.
Nga aksidenti, shtatë persona pësuan lëndime dhe u dërguan me autoambulanca në spitalet përkatëse, ku morën trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Informacionet fillestare të policisë bëjnë të ditur se drejtuesi i automjetit të parë nuk qëndroi në vendin e aksidentit, por vazhdoi lëvizjen.
Autoritetet ende nuk kanë arritur ta identifikojnë atë dhe po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.




