Bruksel, 14 korrik 2026 – Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, teksa në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, që do të zhvillohet në Bruksel, pritet të formalizohet mbyllja provizore e negociatave për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”..
Ky zhvillim vjen pasi Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi më 10 korrik Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave për tre kapitujt.
Miratimi nga COREPER u konsiderua një vlerësim i qartë politik për progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave, reformat e ndërmarra dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke konfirmuar besimin e shteteve anëtare në kapacitetin e vendit për të avancuar drejt anëtarësimit.
Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Këto janë njëherësh dëshmi për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim, si dhe për ndërtimin e ekonomisë konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.
Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.
Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.
Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel, shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.




