Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë ditën e enjte marrëveshjen e firmosur mes kryeminstrit Edi Rama dhe homologës së tij italiane, Georgia Meloni lidhur me ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri.

Por për deputetin e PD, Gazment Bardhi kjo do të ishte një shkelje flagrante e ligjit për sa kohë që nuk është shprehur ende Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë çështje.

Në një deklaratë për mediat Bardhi theksoi se Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me marrëveshjen e Shqipërisë për Italinë, për refugjatët.

Në një akt të paprecedent, me heshtje dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendimin për kalimin në seancë gjyqësore të kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, akt që shoqërohet me pezullimin e procedurës parlamentare të ratifikimit të saj nga Kuvendi. Shqyrtimi paraprak i kërkesës është një proces formal, që nuk kërkon shqyrtimin në themel dhe as kohë për analizë të thelluar.

Duke shfrytëzuar mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese, nën dyshimin serioz të një koordinimi mes tyre, Edi Rama urdhëroi Kuvendin që të afrojë me një javë procedurën e miratimit nga Parlamenti, duke e përfshirë në Rendin e Ditës të seancës së nesërme, datë 14 Dhjetor 2023.

Edhe pse është njoftuar zyrtarisht për përshpejtimin e procedurave në Kuvend, mosveprimi në kohë i Gjykatës Kushtetuese për një çështje me natyrë urgjente, praktikisht asgjeson mundësinë e kontrollit kushtetuese mbi përmbajtjen e marrëveshjes, që detyrimisht shqyrtohet përpara ratifikimit.

Ky përbën aktin më të shëmtuar të dhunimit flagrant të Kushtetutës nga vetë Gjykata Kushtetuese, si një tjetër provë e kontrollit të plotë të saj nga Edi Rama. Asgjesimi i mundësisë së kontrollit kushtetuese, si një e drejtë kushtetuese e deputetëve të opozitës, është atentat ndaj shtetit ligjor dhe rrënon besimin e publikut tek paanësia dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese.

Duke shprehur mospajtimin me mosveprimin në kohë të Gjykatës Kushtetuese dhe dhunimin flagrant të Kushtetutës prej saj, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike apelon anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ti përmbahen betimit për t’ju nënshtruar vetëm Kushtetutes dhe jo interesave apo porosive politike të Edi Ramës. Ata duhet të heqin dorë mënjeherë nga bllokimi i shqyrtimit paraprak në kohë të kërkesës së deputetëve të opozitës, duke urdhëruar përpara ratifikimit të nesërm pezullimin e procedurës parlamentare.

Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë i vetmi udhërrëfyes i veprimtarisë së anëtarëve të Gjyaktës Kushtetuese, dhe jo pengmarrja me projektligj apo  premtimi korruptiv i Edi Ramës për rritje të shfrenuara të pagave të tyre, në këmbim të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe rolit që Gjykata Kushtetuese luan në një shoqëri demokratike”, tha Bardhi. /Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *