Subscribe

E ftuar në emisionin “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, deputetja Luljeta Bozo tashmë në moshën 81-vjeçare ka folur për jetën e saj.

Bozo ka rrëfyer se si ka qenë fëmijëria e saj në një familje me 5 fëmijë.

Ajo tha se ka kaluar një jetë shumë të bukur, dhe se në familje nuk ka patur kurrë grindje mes prindërve, pasi të gjitha detyrat kanë qenë të ndara.

Pjesë nga biseda:

Luljeta Bozo: Unë jam e ditëlindjes 1942, kam lidnur gjatë kohës së luftës. Ka qenë një fëmijëri gjithë dritë mund të them. Pse? Ne ishim një familje me 5 fëmijë, unë isha e dyta nga fëmijët dhe kishim një organizim të përsosur në familje, ku të tërë sakrifikonim për njëri-tjetrin, të gjithë kujdeseshim për njëri-tjetrin, të tërë punonim dhe të gjithë bashkë gëzonim, nuk kishte njëri të rrinte e tjetri të punonte. Puna ishte për të gjithë njësoj, edhe atë kulturën për punën e kemi marrë që në familje, edhe dashurinë për natyrën, dashurinë për bimët për kafshët, i kemi marrë të gjitha në fëmijëri, pasi kishim një shtëpi njëkatëshe, me qerpiç ishte ajo por kishte një baçe goxha të madhe, por që e kishim të ndarë me parcela, na e kishin ndarë prindërit sipas fuqisë fizike, dhe sipas fuqisë fizike ishin ndarë dhe parcelat që punonim. Dinim të punonim tokat, dinim të mbillnim, gëzoheshim kur vilnim frutat, kishim aty afër një përrua dhe bënim shëtitje në përrua të mbuluar me ferra dhe zhvillohej dhe fantazia se kisha lexuar edhe shumë romane që ishin për fëmiijë të asaj moshe rreth 12-13 vjeç, për zbulime se na dukej sikur po zbulonim. Ishte një fëmijëri e mbushur plot aktivitete. Babai ishte shumë i apasionuar pas sportit dhe donte që fëmjët e tij të ishin të shëndetshëm dhe po nuk u more me sport nuk je i shëndetshëm.

Pranvera Borakaj: Kush ju ka ndikuar më shumë nëna apo babai?

Luljeta Bozo: Të dy bashkë.

Pranvera Borakaj: Kam parë disa foto, një portret familjar shumë i bukur.

Luljeta Bozo: Këtu ishte gjallë edhe gjyshja ime e shtrenjtë. Ajo më ka mësuar mua edhe të gatuaj, edhe të gjithë nikoqirllëkun.

Pranvera Borakaj: Gjyshja jetonte me ju?

Luljeta Bozo: Po me neve, edhe këtu është vëllai im i madh Gaqo i cili ishte bërë gati për të ikur me studime në Hungari se i doli bursa për atje, unë isha në gjimnaz, këta dy të tjerët janë motra dhe vëllai. Ky i vogli tani, Leka, Lekushi është bërë 70-vjeç, por mua më duket prapë i vogël. Por ajo që ka rëndësi është se në familjen tonë, unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë që prindërit të zihen me njëri-tjetrin. Edhe sikur të ishte gabim mamaja, babai do ta mbështeste, pastaj kur shkonin andej nga dhoma e tyre i sqaronin vetë punët, por në sy të fëmijëve asnjëherë.

Pranvera Borakaj: Po si ka mundësi, e dëgjoj këtë edhe nga prindërit e mi, edhe nga gjyshet, edhe nga njerëz të tjerë të cilët janë në një moshë më madhore se ne, të cilët thonë se kurr si kemi dëgjuar prindërit duke u grindur. Cili ishte sekreti se edhe shumë fëmijë kanë qenë dhe kjo ishte e vështirë edhe për ta mbajtur edhe pak veten, mos të influenconte tek fëmijët?

Luljeta Bozo: Gjithë sekreti është se varet çfarë qëllimi i ke dhënë vetëm. Gjithë familjet e reja duhet të kenë parasysh se nuk edukohen fëmijët me fjalë, edukohen me vepra, sepse fëmija imiton dhe kur shikon që tek prindërit nuk ka asnjë përplasje, nuk flas për akte të dhunshme sepse ato në atë kohë nuk ekzistonin, por asnjëherë nuk diskutonin për probleme të cilat nuk duhet t’i dëgjonin kalamajtë. Kjo kishte shumë rëndësi, dhe ne ishim shumë të organizuar, ne ishim si repart ushtarak (qesh). Që të pestë na zgjonte babai në mëngjes dhe na nxirrte të bënim fiskulturë.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *