Eksperti i ekonomisë Igli Tola paralajmëron pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë globale dhe atë shqiptare nëse përshkallëzimi i konfliktit çon në bllokimin e Kanalit të Suezit, një nga arteriet më strategjike të tregtisë ndërkombëtare.
Në një lidhje të drejtëpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, ai tha se rreth 20-30% e sasisë globale të gazit natyror dhe naftës kalon përmes Kanalit të Suezit, çka mund të çojë deri në kufizime furnizimi nëse kriza zgjat.
Nga pikëpamja ekonomike, Tola shprehet se në situata lufte nuk ka fitues të vërtetë, duke shtuar se rritja e çmimeve fillon me produktet me origjinë nga rajoni i prekur dhe më pas përhapet në gjithë ekonominë, për shkak të varësisë nga lëndët e para jetike për transportin dhe industrinë.
Ai paralajmëron gjithashtu pasoja në buxhetet kombëtare, pasi rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë mund të shtyjë ose të anulojë projekte infrastrukturore dhe investime publike.
Për Shqipërinë, Tola u shpreh se ndikimi i parë po ndihet me rritjen e çmimit të nënprodukteve të naftës.
Po ashtu, eksperti paralajmëron rrezik për sektorin e turizmit, pasi flukset turistike mund të reduktohen për shkak të pasigurisë globale dhe hezitimit të qytetarëve për të udhëtuar, duke i dhënë një tjetër goditje ekonomisë shqiptare.
INTERVISTA E PLOTË:
Pasojat kryesore të pritshme janë sigurisht ato që kanë të bëjnë me rritjen e çmimit të naftës dhe të gazit, gjë që është e imagjinueshme. Çfarë mund të thoni më konkretisht?
Igli Tola: Nëse analizojmë situatën, bllokimi i Kanalit të Suezit, i cili është një nga pikat strategjike të tregtisë ndërkombëtare, përbën një problematikë shumë të madhe. Ky kanal mbulon një pjesë të konsiderueshme të vëllimit të importeve dhe eksporteve, kryesisht të lëndëve të para të lidhura me hidrokarburet, si nafta bruto dhe gazi natyror, por pa lënë pas edhe produktet e tjera të rëndësishme që kanë si origjinë Lindjen e Mesme. Këto janë lëndë të para të domosdoshme për industrinë dhe ekonominë e gjithë botës. Pra, nuk janë më vetëm vendet e përfshira në konflikt që preken, por në mënyrë direkte dhe indirekte preket një pjesë drastike e vendeve që janë të varura nga këto importe, ku përfshihet edhe rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria. Zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit drejt rrugëve alternative nuk është e thjeshtë për t’u arritur në një kohë kaq të shkurtër. Ajo që do të shihet së pari është prekja e çmimeve të shumicës dhe pakicës si efekt direkt. Nëse ky konflikt vijon, mund të ketë probleme deri në kufizime të furnizimit, pasi sipas statistikave, rreth 20% deri në 30% e sasisë globale të gazit natyror dhe naftës kalon përmes këtij kanali.
Në çdo konflikt ka të humbur dhe të fituar nga pikëpamja ushtarake. Po në aspektin ekonomik, cilët janë përfituesit potencialë të kësaj krize apo konflikti?
Igli Tola: Unë mendoj se në situata lufte nuk ka fitues. Në çdo aspekt ekonomik që mund të analizojmë, ka vetëm humbës, ku më të mëdhenjtë janë qytetarët. Ata preken drejtpërdrejt nga valët inflacioniste, fillimisht për produktet me origjinë nga ky rajon, e më pas në mënyrë indirekte për çdo produkt apo shërbim tjetër, sepse flasim për lëndë të para jetike për transportin dhe industrinë në tërësi. Problematika të vijueshme do të shohim edhe në buxhetet kombëtare. Dislokimi i vlerave të larta buxhetore për mbrojtjen dhe sigurinë do të bëjë që projekte të ndryshme infrastrukturore apo investime publike të shtyhen në kohë ose të mos realizohen, duke ndikuar në mirëqenien e qytetarëve. Nëse mund të flasim për “përfitues”, ata mund të jenë vendet konkurruese me rajonin në furnizimin me lëndë të para si gazi dhe nafta, të cilët do të kenë më shumë mundësi tregu. Megjithatë, kjo nuk është lehtësisht e realizueshme për shkak të vështirësive në zhvendosjen e zinxhirëve të furnizimit dhe nënshkrimin e kontratave të reja.
Ajo që na intereson më shumë është vendi ynë. Përtej kuadrit të përgjithshëm, cili do të ishte një ndikim direkt ekonomik i këtij konflikti për Shqipërinë?
Igli Tola: Ndikimin direkt po e shohim që këto ditë me rritjen e çmimit të nënprodukteve të naftës. Kjo vjen si pasojë e efektit psikologjik, por edhe si rezultat i marrëveshjeve të reja që kompanitë e shumicës dhe pakicës bëjnë për t’u furnizuar. Duke i blerë lëndët më shtrenjtë në tregun ndërkombëtar, ato tregtohen më shtrenjtë edhe këtu. Kjo do të ndikojë në të gjitha kategoritë e tjera të produkteve, përfshirë ato të shportës, që kanë kosto transporti apo përpunimi industrial me naftë. Gjithashtu, do të ketë rishikime të buxheteve, pasi do të kërkohen investime më të larta për kontributin tonë në NATO dhe për sigurinë, qoftë ajo ajrore apo për pajisje mbrojtëse. Kjo do të sjellë kufizime ose zhvendosje të fondeve nga dikastere të tjerë drejt mbrojtjes. Një tjetër problematikë lidhet me turizmin. Nëse kjo krizë vijon, turizmi ynë mund të marrë një goditje, pasi pritshmëritë globale janë që flukset turistike të reduktohen si pasojë e konflikteve dhe mosgatishmërisë së njerëzve për të udhëtuar.
/vizionplus.tv





