Një shqiptar, i dënuar nga Gjykata e Fierit për pastrim parash, është ekstraduar nga Greqia.
Bëhet fjalë për 44-vjeçarin Afrim Kocaqi, banues në Fier.
Kocaqi ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier në vitin 2014 e ka dënuar me 4 vite burgim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 44-vjeçari ka kryer derdhje cash të shumës prej 3.100.000 lekë në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, veprim financiar pa asnjë përshkrim justifikues i kryer në vitin 2011.
Pas regjistrimit të procedimit penal është vendosur sekuestro preventive mbi shumat monetare që gjendeshin në këtë bankë, që në momentin e sekuestrimit ishin 2.500.000 lekë.
Afrim Kocaqi kishte bashkëpunuar me tre persona të tjerë duke kryer vjedhjen e bankës në Egjira Greqi në vitin 2011, nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit.
Pas dënimit të kryer në shtetin grek, ekstradohet për shlyerjen e dënimit të mësipërm të vendosur nga autoritetet tona gjyqësore.





