Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, parti e cila doli e dyta në zgjedhje për nga numri i votave,  ka ftuar LDK-në e Isa Mustafës dhe AKR-në e Behgjet Pacollit që t’i bashkohen partisë së tij për krijimin e qeverisë së re në Kosovë.

 

Gjatë një konference për mediat, Kurti tha se ftesa e tij vlen edhe për deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, të cilët nuk duan përsëritjen e klanit “Pronto”.

 

 “Ne sot ftojmë të gjithë deputetët e koalicionit LDK-AKR dhe ata të AAK-së e Nismës që janë të pakënaqur me klanin Pronto, që të na bashkohen për përgatitje të një qeverie të re për Kosovën. Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Prandaj e kemi obligim që ta çojmë përpara vullnetin e tyre.”

 

Më herët gjate ditës, kreu i VV-së Albin Kurti, u takua edhe me kreun e AKR-së Behgjet Pacollin. Kurti sqaroi se me Pacollin kishte biseduar edhe para zgjedhjeve për hapjen e një kapitulli të ri në Kosovë në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

 

Ende nuk ka asnjë reagim nga partitë fituese në zgjedhje për ftesën e Kurtit. Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha se për ketë çështje do të bisedojë me Isa Mustafën.

 

Sipas KQZ-së, Koalicioni i luftës ka marrë 34 përqind të votave, që përkthehet në 39 ose 40 deputetë, Vetëvendosja 27 përqind, me 31 ose 32 deputetë dhe koalicioni  LDK-AKR-Alternativa 25 përqind, ose 29 vende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *