Një konflikt për motive të dobëta në zonën e Shkozës ka përfunduar me tre të arrestuar, një të plagosur lehtë dhe dy persona të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ku gjatë përplasjes fizike, një shtetas u dëmtua me mjet prerës dhe policia u përball me rezistencë të dhunshme nga disa prej të përfshirëve.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Tiranës, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 1 arrestuan shtetasit Z. Sh., 52 vjeç, K. Sh., 22 vjeç dhe M. Sh., 34 vjeç. Ndërkohë, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit O. M., 34 vjeç dhe A. M., 40 vjeçe.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasja A. M. dyshohet se gjatë përplasjes fizike ka plagosur lehtë në dorë me mjet prerës shtetasin E. Sh., i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin O. M. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit për të zgjidhur situatën, tre shtetasit e arrestuar kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, duke penguar kryerjen e detyrës së tyre.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.
/vizionplus.tv





