Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar/FEMSH, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë/CCIT, Aleanca Kosovare e Bizneseve/AKB, dhe organizatat përfaqësuese të biznesit në hapësirën mbarëshqiptare, po ndjekin me shqetësim të thellë dhe me përgjegjësi të plotë zhvillimet e fundit në tregun e karburanteve dhe ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve, e ndikuar nga zhvillimet në tregjet globale të energjisë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë në zinxhirët e furnizimit, po i vendos ekonomitë tona përballë një presioni të fortë dhe të qëndrueshëm. Në kushte të një varësie të lartë nga importet dhe një strukture ekonomike të ndjeshme, kjo krizë po reflektohet menjëherë në çdo segment të aktiviteteve tona ekonomike.
Në koordinim të ngushtë me komunitetin e biznesit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës, vlerësojmë se kjo situatë po merr përmasa gjithnjë e më serioze dhe përbën një sfidë të përbashkët strukturore për ekonomitë e rajonit e cila kërkon vëmendje të menjëhershme dhe të harmonizuar ndërinstitucionale.
Karburantet janë shtylla e padukshme e ekonomisë
Karburanti nuk është thjesht një mall tregu. Ai përfaqëson një nga elementët më të rëndësishëm që garanton funksionimin normal të ekonomisë. Nga transporti dhe bujqësia, tek industria, turizmi dhe shërbimet, çdo sektor mbështetet në këtë input strategjik.
Rritja e çmimeve të tij po prodhon një efekt zinxhir të dukshëm dhe të prekshëm:
•rritje të kostove të prodhimit dhe shërbimeve në të gjitha sektorët;
•rritje të çmimeve për konsumatorin final;
•ulje të fuqisë blerëse të familjeve;
•dobësim të konkurrueshmërisë së bizneseve në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Ky efekt po reflektohet drejtpërdrejt në uljen e ritmit të aktivitetit ekonomik, në rritjen e pasigurisë dhe në shtyrjen e vendimeve për investime të reja. Në shumë raste, bizneset po detyrohen të rishikojnë planet e tyre strategjike, ndërsa disa sektorë po përballen me vështirësi reale për mbijetesë.
Një sfidë që kërkon përgjigje dhe përgjegjësi të përbashkët
Në një hapësirë ekonomike që synon integrim dhe zhvillim të përbashkët, diferencat në çmimet e karburanteve dhe në barrën fiskale ndërmjet vendeve të rajonit po krijojnë shtrembërime serioze të konkurrencës. Këto diferenca po vendosin bizneset në kushte të pabarabarta dhe po rrisin rrezikun e zhvendosjes së aktivitetit ekonomik drejt tregjeve më të favorshme.
Në këtë kontekst, mungesa e koordinimit të politikave ekonomike dhe energjetike përbën një problem të madh strukturor. Pa një qasje të përbashkët dhe të harmonizuar, çdo ndërhyrje e izoluar mbetet e pamjaftueshme.
Kërkesat tona ndaj qeverive
Në emër të komunitetit të biznesit, ne kërkojmë masa të menjëhershme, konkrete dhe të matshme për të përballuar këtë situatë:
1.Rishikim të përkohshëm dhe fleksibël të barrës fiskale
Struktura aktuale e çmimit përmban një peshë të lartë taksash. Nevojitet ndërhyrje e targetuar për stabilizimin e tregut, në përputhje me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.
2.Transparencë të plotë në formimin e çmimit
•publikim periodik i strukturës së çmimit;
•qartësim i faktorëve ndikues (çmimet në tregjet ndërkombëtare, taksat, akciza, etj).
3.Forcim të kontrollit dhe konkurrencës së ndershme
•monitorim aktiv i operatorëve;
•hetim i rasteve të mundshme të abuzimit;
•luftë kundër informalitetit.
4.Mbështetje për sektorët më të ekspozuar
Transporti, bujqësia, industria prodhuese, shërbimet dhe turizmi kërkojnë masa konkrete lehtësuese për të ruajtur konkurrueshmërinë.
5.Masa strukturore afatmesme dhe afatgjata
•krijimi i rezervave strategjike të naftës;
•diversifikimi i burimeve të energjisë;
•investime në energji alternative dhe eficiencë energjetike.
6.Dialog i institucionalizuar qeveri–biznes
Kërkohet një dialog i hapur, i rregullt dhe funksional për hartimin e politikave efektive dhe të zbatueshme.
Në këtë deklaratë theksojmë se:
Organizatat e biznesit kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe konkret nga qeveritë dhe institucionet përkatëse. Çdo vonesë në vendimmarrje do të ketë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë dhe qytetarët.
Ne kërkojmë ndërhyrje urgjente, të matshme dhe të verifikueshme, me afate të qarta zbatimi.
Çdo mungesë reagimi në këtë moment kritik përbën përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale për përkeqësimin e situatës ekonomike.
Përgjegjësia për stabilitetin ekonomik është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e institucioneve shtetërore. Biznesi nuk mundet dhe nuk duhet që të përballet i vetëm këtë barrë.
Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme:
•rritja e çmimeve do të përshkallëzohet;
•investimet do të frenohen;
•vendet e punës do të rrezikohen;
•dhe ekonomia do të përballet me pasoja të rënda dhe afatgjata.
Ky është moment vendimtar për veprim. Çdo ditë vonesë është kosto për ekonominë. Çdo hezitim është kosto për qytetarët.
Prandaj kërkojmë reagim të menjëhershëm ndaj kërkesave tona, të shoqëruara me vendimmarrje dhe përgjegjësi të plotë institucionale.
Përfaqësuesit e organizatave të biznesit:
1.Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar (FEMSH);
2.Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë;
3.Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB);
4.Shoqata e Ndërtuesve;
5.Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH);
6.Shoqata Kombëtare e Transportit të Udhëtarëve të Shqipërisë;
7.Shoqata Shqiptare e Turizmit;
8.Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare;
9.Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit;
10.Shoqata e Bimëve Medicinale;
11.PRO-Eksport Albania;
12.Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare.





