Shkodër – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme të Policisë për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, ku së fundmi është finalizuar operacioni i koduar “Target Group”.
Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i marrë me qira që përdorej për fshehjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje. Në këtë kuadër, janë kapur në flagrancë dhe arrestuar shtetasit Niko Fusha, 18 vjeç, dhe Kristian Zalli, 20 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi L. A., 23 vjeç, i cili kishte marrë me qira ambientin ku dyshohet se bëhej paketimi i drogës.
Sipas Policisë, lënda narkotike shpërndahej kryesisht tek moshat e reja në qytet. Gjatë operacionit janë sekuestruar doza të dyshuara kokainë dhe Cannabis Sativa, qese farmaceutike për paketim, 5 peshore elektronike, 1 armë e ftohtë, një motomjet i përdorur për aktivitetin kriminal, si dhe një shumë parash e dyshuar si përfitim nga shitja e lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
/vizionplus.tv





