Policia kufitare ka gjetur disa ditë më parë 3 ton karburant në afërsi të ishullit të Sazanit.
Karburanti është gjetur në det dhe dyshohet se është lënë për ndonjë mjet për furnizim kontrabandë.
Mjeti tip skaf ka ardhur nga Greqia dhe sapo ka pikasur policinë kufitare ka hedhur bidonat me karburant në det.
Dyshohet se skafi është larguar sërish në drejtim të Greqëisë.
Në një reagim zyrtar policia bën me dije se “gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza, DVP Vlorë dhe Rojen Bregdetare , u konstatuan duke pluskuar në det, 43 bidona plastikë që dyshohet se janë të mbushur me lëndë hidrokarbure. Bidonat u sekuestruan në SPK Triport. Vijojnë veprimet hetimore për këtë rast.”
Gjithashtu gjatë 10 ditëve të fundit, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë ka shtuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare të qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirën detare, si dhe parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme që mund të zhvillohet në këtë hapësirë.
Në bashkëpunim me Repartin Delta Force, Guardia di Finanza dhe strukturat e tjera partnere, janë realizuar kontrolle intensive nga toka dhe deti, me fokus zonat më të frekuentuara nga mjetet lundruese.
Si rezultat, janë verifikuar mbi 200 mjete lundruese, të cilave iu është kontrolluar dokumentacioni përkatës, pajisjet e sigurisë, si dhe respektimi i itinerareve të miratuara. Këto veprime synojnë jo vetëm garantimin e lëvizjes së sigurtë për qytetarët dhe turistët, por edhe forcimin e kontrollit për të parandaluar rastet e trafikimit dhe krimet mjedisore./vizionplus.tv





