Nisma e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi për të rishikuar praktikën gjyqësore për paraburgimin i ka ndarë në dysh juristët.
Ish- prokurori Besnik Muçi mbron qasjen se nuk ishte e domosdoshme që të ndryshohej vendimi unifikues i 2011 i të Kolegjeve të Bashkuara për masat e sigurimit personal, pasi ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetencat juridike të prokurorive e gjykatave.
“Ishte i panevojshëm. Unë mendoj që janë arsye të tjera jashtë jurisprudencës dhe jashtë praktikës gjqyësore e ligjit procedural penal që kanë sjellë këtë nevojë. Mendoj se do të sjellë një anomali tjetër në praktikën e masave të sigurimit në Shqipëri, madje tentohet të bëhet interpretimi i ligjit aty ku ligji është i qartë dhe i zbatuar drejt në vlerësimin tim. Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë, por ndërhyhet në mënyrë jo ligjore në kompetencën e prokurorisë dhe gjykatave në caktimin e masave të sigurimit. Ka patur mundësinë në shumë raste që ka shqyrtuar masa sigurimi, që të vendosë piketa të caktuara dhe praktika gjyqësore, pa ndërhyrë në vendimin unifikues të vitit 2011”, tha Besnik Muçi, jurist, ish-prokuror.
Megjithatë për pedagogun dhe avokatin, Andi Dura nisma është e vonuar, madje gjendja me kaq shumë të paraburgosur është alarmanate.
“Arresti në burg nga një masë përjashtimore, e cila duhej të jepej kur çdo masë tjetër ishte e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së veprës dhe autorit, është kthyer në masën me të zakonshme. Vetë statistikat janë ato që flasin kur numri i të paraburgosurve është shumë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian edhe më shumë se numri i të burgosurve në republikën e Shqipërisë”, deklaroi Andi Duraj, avokat
Ndryshimet kryesore lidhen me arsyetimin dhe argumentimin e gjykatave të faktit se pse ndaj të burgosurve është vendosur masa shtrënguese arrest në burg, pse individi që duhet të qëndrojë i izoluar në paraburgim ka rrezikshmëri shoqërore.
Sipas Gjyktatës së Lartë rreziku nuk duhet të bazohet vetëm te vepra penale, por nga fakti autentik që i atribuohet atij personi. Thelbësor në këtë ndryshim është shteti social dhe liritë e të drejtat universale të njeriut./vizionplus.tv





